Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 15 giugno 2012

Himni Kombetar dhe shqiponja ne vitin 1922


Tentativa e zyrtarizmit te Himnit dhe shqiponjës, në qershor të 1922.


Koment Dossier
Besi Bekteshi
Pergjegjesi  i Arkivit te Muzeut Shkoder

Në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, normalisht që është e qartë se simbolet tona kombëtare të kenë edhe datat, por edhe historinë e tyre të arritjes deri në 2012-tën. Në fakt ne sot kemi Himnin tonë, flamurin dhe shqiponjën, të cilat kanë arritur deri tani duke kaluar kohë, regjime, dhe tentativa për të zyrtarizuar formën dhe përmbajtjen e tyre. Një prej këtyre tentativave zyrtare, është qershori i vitit tashmë të largët 1922. Në disa qarkore të këtij viti dhe patjetër më shumë në qershor, janë bërë zyrtarisht si nga Kryeministri Ypi dhe Ministri Brëndëshëm Zogu. veprimet për të pasur një himn të ri dhe padyshim edhe një shqiponjë të qartë dhe të saktë. me që në asnjë vulë dhe flamur kjo e fundit nuk ishte njësoj.
Për më tepër, kjo ishte në vazhdën e krijimit të shtetit të vërtetë të përfaqësuar edhe në botë me simbolet e tij. Për himnin në fakt, nuk jepet asnjë shpjegim pse duhet të bëhej një i ri, por dihej se nuk kishte një dokument zyrtar, që të vërtetonte dhe pikërisht zyrtarizonte atë himn ekzistues me tekst të Asdrenit dhe muzikën e huaj. Ishte pikërisht kjo, që kishte luajtur situatën në favor të një himni të ri, krahas disi mos darkotësisë për tekstin në përgjithësi, dhe për këtë hapet një “tender” i ri, ku kërkohet si teksti dhe muzika e re. Vendimi dhe qarkorja e firmosur nga A. Zogu është e datës 20 qershor 1922, dhe aty thuhet se: Këshilli Ministror me propozim të MB-së ka vendosur të bëjë një Himn Kombëtar zyrtar, midis vjershëtorëve dhe muzikantëve. Për këtë, u caktua një shifër prej 4000 franga ar, prej të cilave 1000 për vjershëtorin, dhe 3000 për muzikantin që do të fitonte. Për këtë autorizohej Ministria e Arsimit si zbatim, në vazhdë të këtij tenderi po të shprehemi përafërsisht si në ditët e sotme. Në fakt, historikisht është bërë edhe një himn i cili me disa të dhëna sidomos nga studiuesja Valbona Karakaçi ka pasur edhe dy autorë si Koliqi dhe Flloqi, por çështja ka mbetur kaq, jo më tepër, dhe nuk ka ndonjë dokument si për të dhe për himnin e 1908-tës të vërtetojë zyrtarizmin real të tij. Në fund të fundit, janë vitet mbas 1990-tës që kanë bërë edhe zyrtaren për Himnin  Kombëtar. Po e kanë çuar në lartësinë e ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë
Por po në vitin 1922, është bërë dhe është arritur pothuaj krejtësisht edhe forma shqiponjës dy krenare në vula dhe stemën, por edhe flamurin kombëtar. Ka filluar që në qershor problemi në qeverinë e kohës, por në një dokument që sëbashku me të parin për himnin, ndodhet në Arkivin e Muzeut Shkodër e që mban datën 9 korrik 1922,  me firmë të Xhafer Ypit, drejtuar Ministrisë së Brëndëshme thuhet se: Tue kenë se forma e shkabës së Flamurit Kombëtar dhe ajo e vulave nuk ngjajnë njena tjetrës......Këshilli Ministruer me propozim të legatës Shqiptare të Londonit....!
E në shkresë, sqarohet se janë katër forma shqiponje dhe është përzgjedhur njëra prej tyre e cila është shpërndarë të gjitha prefekturave dhe institucioneve në letër kalk për tu përdorur. Është pikërisht kjo shqiponjë, e cila i afrohet tepër asaj të sotmes, megjithse ka pak, shumë pak, dallime jo kaq esenciale. Po kështu edhe Ministri i Brëndëshëm A. Zogu, jep urdhër Prefekturave për zbatim të menjëhershëm të vulave dhe dokumentave të shtetit me këtë formë shqiponje tashmë të aprovuar nga Shteti Shqiptar. Në arkivin e Shkodrës, ndodhet dy prej letrave kalk të përdorura për të vendosur shqiponjën e rregullt, dhe u prodhuan edhe vulat dhe flamujt e ri me pikërisht këtë formë të shqiponjës së rregullt, dhe të aprovuar si formë zyrtarisht.
Interesantja në këto dy veprime të qeverisë së asaj kohe, është se po mendohej për simbolet edhe pse “Himni Kombëtar” i tekstit të Asdrenit nuk po zyrtarizohej si i tillë nga kjo qeveri megjithse ka vazhduar me dekada edhe pse shteti shqiptar vazhdoi me regjime dhe pushtime, sërish një zyrtarizim nuk u pa në kohë. Po kështu, ka pasur ndryshime dhe veprime edhe me shqiponjën dhe flamurin, por këtu hyn akoma në punë regjimi komunist që vendosi edhe yllin, i cili mori fund në fillim vitet 90-të. Tentativa për simbole zyrtare, edhe pse me peripeci, gjithsesi duhet respektuar edhe në 90-të vite më përpara nga shteti i asaj kohe, sidomos për faktin për të pasur një shtet me simbole të rregullta, dhe me përcaktime ligjore të cilat duhet të bënin shtetin shqiptar të tillë.
Tashmë mbas 90-të vitesh ne jemi mësuar pak as shumë të gjithë, por në fund të fundit si Himni Kombëtar dhe shqiponja kanë pasur edhe ato peripecitë dhe modelin në kohë që historikisht nuk mund të mohohet.