Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

mercoledì 27 luglio 2011

"Bogdani" shoqnia kulturore e fillim viteve 20-te ne Shkoder


“Shoqnija Bogdani” dhe ngritja artistike e teatrit shkodran në afishet e kohës

Shfaqet teatrore te “Shoqnisë Bogdani” në vitet 1919-30-të të shekullit të kaluar.

Patriotizmi në teatrin e kohës te “Shoqnija Bogdani”

Njerzit e teatrit shkodran, në aktivitetet e “Shoqnisë Bogdani”
në Shkodër.


Nga Besi Bekteshi
Gazetar, historian Arkivi Muzeut Shkoder

Një nga shoqëritë më me emër në Shkodër, një nga shoqëritë artistike, teatrore, por edhe muzikore me një sukses të madh, ka qënë ajo e quajtur “Shoqnija Bogdani”. Formimim i saj i përket viteve 1919-të dhe në organizimin e saj, ishte pjesa dramatike dhe ajo e farsës, por edhe komedia, e cila vazhdimisht bënte pjesë edhe në saj të humorit të jashtëzakonshëm të organizatorëve të saj. Në “Muzeun e Shkodrës” është një koleksion i mrekullueshëm i afisheve të kohës, ku dalin në mënyrë të qartë, jo vetëm qëllimi i kësaj shoqërie kulturore patriotike kryesisht, por edhe emrat dhe aktorët e teatrit shkodran të viteve 20-30-të në qytetin, ku jeta kulturore, ishte më e zhvilluar dhe më kualitative se në të gjithë trevat shqiptare. Afishet në fakt, janë edhe dëshmia e madhe e paraqitjes së artit dramatik dhe komedisë, por edhe muzikës së kohës, e cila luhej në mes të pjesëve dhe nganjëherë banda e “Shoqnisë Bogdani”, krijonte folklorin e pa përsëritëshëm të Shkodrës, në traditën e saj të madhe dhe të vjetër, sidomos në zonën e lagjeve Gjuhadoll dhe Serreq. Një nga afishet më të rëndësishme e vitit 1913-14, e cila në fakt nuk ka asnjë përcaktim të qartë, por dilte në kohë të përcaktimit të kufijve, i paraprin edhe shoqërive “Rozafat” dhe “Bogdani” të formuara e para në vitin 1918-të dhe e dyta në vitin 1919-të. Në këtë afishe, është stema e Shqipnisë  së madhe, dhe thotë: Shkodra kryegjyteti i Berdylit bujar, in Teutës vigane, i Gencit kreshnik, qëndra e Shqypnis ethnografike....! Pastaj vazhdon se “në shej nderimit” ndaj zotnit e Komisjonit Internacional qi mrriten në këtë qytet, per me caktue kufijt e Atdheut t’onë....tfaqë “NË SALON TË JEZUITËVE” melodramin original kombëtar “Ora e Shqypnis”. Pra jemi në fillimet e institucioneve të kulturës, dhe po ju bëhet nder pikërisht autoriteteve të huaja, që arritën të mbanin Shkodrën dhe të vendosnin kufijtë. Lajmërohej edhe një shfaqe e Bandës së Bashkisë së asaj kohe. Por egziston edhe një afishe e shkurtit të vitit 1920-të e shoqërisë “BOGDANI” e cila shfaqte dramën “Fernand Kortez-in” me katër akte, dhe mbas saj “Lojën e gazit”...komedinë “Shkolla e Katundit” si dhe karriket që ishin me dy rradhë ku rradha e parë kushtonte tre franga dhe e dyta, dy franga. Por në vitin 1924-tër fillon drama shqiptare “Duka në Shkodër, në Cetinë e Vraninë”, ku shoqnija “Bogdani” po fillonte  të trajtonte temën midis malazezve dhe shkodranëve, por edhe njerzve të heroizmit shkodran dhe shqiptar si Oso Kuka. Mirëpo përveç kësaj mënyre prezantimi, “Bogdani” ka vënë në skenë edhe “Gjaksorin e Penduem”, ku luanin Kol Mirashi, Cin Çapeli, Kol Vjerdha, Loro Çefa. Luigj Mjeda, Sandër Bushati, Kol. GJ. Harapi, Pjetër Lleshi, Kol .L. Dema, Luigj Ujka. Por shfaqa ka pasur edhe një “Lojë Gazi” ku luanin po këto aktorë dhe personazhet ishin: Ndokë Puthadori, Paçalini, Abdyl Skrapari, Josif Trapazani...etj etj. Natyrsisht që trajtohet problemi qytetar dhe modeli i jetës, por edhe sërish caktohej drejtimi i jetës drejt një shoqërie të kulturuar.
Që me vitin 1922, fillon të luhet “farsa”  e titulluar “Dy majmuna në një raft”  ku luanin Rr. Zadeja dhe K. Harapi, si edhe Filip Zojsi, por interesant është fakti, se për herë të parë luan edhe aktori i më vonshëm i madh Loro Kovaçi. Te drama “Trimi Mallëngjyes” luan sërish Loro Kovaçi, por shikohet shumë në këtë vite, pjesmarrja e gjithmonëshme e Luigj Mjedës. Në vitin 1922, shfaqet në programin patriotik, drama që merr shkas nga vitet 1907-14 dhe që është titulluar “Flamuri i Shypnis do të Mbretnojë”. Por është interesante se organizatorët falenderonin shkruesin e dramës që ishte vetë prefekti A. Nepravishta. Që nga viti 1921, dhe deri në fund të karierës së kësaj “shoqnie”, është vënë në skenë “Trimnija e OSO KUKËS” e cila sipas organizatorëve “ka ndollë në vjetin 1858” dhe shpjegohet mbas titullit se : Ose të djegunit e tij në “KULLË të VRANINËS”. Drama jepej ose me 27 Nëntor ose me 28-të, dhe kishte një sukses të jashtëzakonshëm. Akoma më sukses, ka pasur për një farë kohe edhe drama “Veturdhnimi i Ali Pashë Tepelenës” që në “posterat” e kohës thuhesh se po jepej sërish “mas dëshirit të popullit” Kjo dramë është dhënë edhe me datën 30 nëntor, mbasi është dhënë rresht në 27 dhe 28 nëntor, e në atë kohë, jeta kulturore ishte përqëndruar në këtë drejtim patriotik. Në vitin 1926 “Bogdani” shfaqë dramën “Pjetër Mika” dhe lojën e gazit me muzikë “Kushtrim, Dreqi në Dyshek”. Mbas “Trimit Ngazëllyes” në vitin 1927-të, luhej edhe loja e gazit me një akt “ Dy Belbacukët”. Një nga sukseset e mëdha patrotike, e cila si edhe të tjerat kishte motiv si “qëllim dashësh dhe qëllim mbërritës”, ishte dhe drama “Mustaf Pasha i Shkodrës” me shpjegimin “ma i mrami Vezir shqyptar mi Shqypni dhe Rumeli prej vjetit 1810-1830”. Një nga modelet më të rëndësishëm të krenarisë kombëtare dhe sidomos shkodrane, ishte pikërisht edhe rikthimi i krenarisë historike, në dramat e shoqnisë “Bogdani” dhe trupës së saj aktoreske në Shkodër, dhe kjo shihej qartë edhe te kjo dramë e vitit 1923. Pastaj me rastin e ardhjes së Ahmet Zogut si President i Parë i Shqyptarëve pikërisht me 27 gusht, shoqnija “Bogdani”, ka shfaqë “OSO KUKA” dhe po në atë vit komedinë “ Dy Gungaçat” ku luajnë Ejll Larja, Luigj Mjeda. Gjon Shllaku, Rrok Zadeja etj etj. Në vitin 1929-tën luhet “Makalushi në Shkodër”  dhe në vitin 30-të komedia “Me Paditë nipin te Daja”. Janë luajtur edhe “I paditun për Gjaksi” dhe komedia “Një Mësues Modern”, ku normalisht ka luajtur pjesën e tij edhe i madhi Kol Shiroka me shumë e shumë kolegë të tjerë. “Shoqnija Bogdani” ka qënë një nga ato organizime teatrore dhe kulturore të Shkodrës, që në fakt, edhe nga mbiemrat kuptohet qartë që është bazë e ardhshme e teatrit në Shkodër, dhe po ashtu në Tiranë. Të tilla shoqëri kulturore, Shkodra ka pasur në ato vite, dhe padyshim që jeta e tillë në qytetin tradicional dhe kulturor, është një nga tiparet kryesore të lartësisë së madhe artistike, jo vetëm në teatër, por muzikë, poezi dhe skenografi.
Vetë afishet e “Shoqnisë Bogdani” tregojnë edhe kujdesin për një model perendimor dhe tepër të kujdeshëm në drejtim të organizmit.

Shkodra, dhe burrat e saj në letra dhe jetë.


Letrat e pa ditura të drejtuesve të Bashkisë së Shkodrës.
Shkodra, dhe burrat e saj në letra dhe jetë.

Nga Besi Bekteshi
Jemi në periudhën kur po afrohen zgjedhjet vëndore. Në të vërtetë, të ndarë që nga viti 1944, nga idea e pushtetit vëndor, nga idea e Bashkisë, Prefekturës dhe taksave, por edhe marrëdhënieve të këtij pushteti afër qytetarëve, ka që nga viti 1992 e deri tani, që akoma jetojmë  me sistemin “flu” e këtij pushteti kaq të rëndësishëm. Të këtij pushteti që rregullon rrugët, mbledh plehrat, riparon dhe ndërton tortuaret, që krijon mjedise të gjelbërta, që ndriçon dhe që vizon rrugët. Akoma edhe sot, kur ka një deçentralizim më të madh, jetojmë si në ëndërr me “shtetin e madh”, atë shtet, që diktatura e kishte edhe në pushtetin vëndor, dhe që përfaqësohej nga “Komitetet e Partisë” dhe “Komitetin Ekzekutiv”. Por, por në të vërtetë, përpara viteve 44-tër ka pasur një pushtet vëndor, një administratë vëndore, apo më mirë të themi, ka qënë Bashkia, e cila në diktaturë, gjithmonë merrej si një model i “urryer”, që duhej dërmuar, shëmbur e barazuar me gjakpirësin.
Shkodra është një nga qytetet madhështore të funksionit pushtet vëndor që mbas pavarësimit të Shqipërisë, dhe që fillon me “Parlimentaren” dhe vazhdon mbas viteve 1922-23 me emrin “Bashkia  Shkodrë”, me të cilin thirresh aso kohe pikërisht institucioni më i rëndësishëm i Shkodrës.  Normalisht janë disa qindra dokumente të ruajtura me kujdes, për veprimtarinë e saj në ato mijra, që nuk ka qënë e  mundur të ruhen për gati këto 98-të vite, të një ekzistence pa ndërprerje (në pavarësi) edhe kur Shkodra ishte një shesh beteje dhe lufte. Me kryetarin e parë real Musa Juka dhe me të tjerët, Bashkia e Shkodrës, është një shëmbull i jashtëzakonshëm funksioni, dhe pse jo ndershmërie qytetare. Ka shumë dukumente që e tregojnë se ka pasur burra të tillë, por unë kam zgjedhur një të veçantë, i cili edhe pse tepër i thjeshtë, ka në thelb marrëdhënien e xhentëlmenëve në krye të institucionit.
Në një vendim të datës 20 shkurt të vitit 1933, thuhet se “Kryetari i asaj kohe në Bashkinë e Shkodrës z Rustem Ymeri, i lutet këshillit për t’ju dhënë dy muaj parapagim paga  e tij” dhe normalisht letra thotë: mbasi familja e tij ndodhet tepër e smuetë e për me i ba ballë shpenzimeve të mjekimit të saj, ka nevojë për të holla. Këshilli vendos, dhe me firmën e zotërinjve Bushati dhe Çoba  jepet kjo pagesë nga arka e Bashkisë. Normalish janë edhe kambialet çeqe, të cilat e vërtetojnë këtë gjë. Pra, Kryetari i Bashkisë, ka njerëz të familjes sëmurë, dhe kërkon të ketë në dispozicion dy pagat e tij të kryetarit për të shërbyer familjes!! Në vetvete, kjo është prekëse dhe humane, aq sa të lë në një çuditje të jashtëzakonshme për moralin dhe sinqeritetin që si vëndimi dhe kërkesa kanë brënda saj. Është viti i largët 1933, dhe Bashkia e Shkodrës, sa ka filluar të mirëmbajë qytetin, të ndërtojë rrugë dhe trotuare, të kujdeset për lulishte dhe të mbledhë taksa në mënyrë të bindëshme. Po çfarë ndodh mbas disa kohe me Kryetarin Ymeri?
Në një vendim të datës 8 maj të pikërisht vitit 1933 sqarohet se “ ish Kryetari i Bashkisë Rustem Ymeri kthen pagën e marrë në avancë” në shifrën prej 590 franga ar”. Tashmë është titullari i ri i Bashkisë së Shkodrës Zenel Prodani, që ka pranuar kthimin e një page prej 590 franga ar, të cilat i ka kthyer kolegu i tij, i cili me që ka mbaruar mandatin i kthen në arkën e Bashkisë, por në fakt, ja kalon Kryetarit të ri të cilit i takon kjo pagesë. Pra muaji prill i vitit 1933 si pagesë e Kryetarit të Bashkisë, kthehet nga një titullar, për tu marrë nga tjetri.
Buxheti i Bashkisë së Shkodrës ka njohur dhe një moment të tillë human, tepër sinjikativ për veprimin  e një titullari në nevojë që kthen në arkë rrogën e marrë në avancë ose parapagim, për arsye të pamundësisë për përballuar sëmundjet  në familjarët e tij.
Në të vërtetë është viti 1933, kur në buxhetin e Bashkisë i cili është nga më të pasurit si mbledhje taksash në Shqipëri, mblidhen si “taksë doganore 7%” 60.000 franga ar, një rekord kombëtar ky, për “mjete transporti” 13.000 franga ar, për “qera ndertese” 5.000 franga ar, për “peshim e sergji” 18.500 franga ar, për “tabela” 2770 franga ar, për “baxha” 54.900 franga ar, për “leje e miratim ndërtesash” 1.000 franga ar, për “qera lulishte” dhe “qera ndërtese” 1.800 dhe 5.000 franga ar, e deri “për qen luksi dhe gjojet”.....100 franga ar. Është Bashkia, që mbledh taksën më të madhe në Shqipëri për “lulzim” prej 29.000 franga ar   dhe ka mbledhjen e dytë të buxhetit më të madh në Shqipëri me mbi 1700 “dugajave” të saj, dhe bisneseve prodhuese apo zejtare. Ishte koha kur mblidheshin mijra e mijra franga ar si taksa, dhe shkonin në shërbime.
Por është viti kur kanë mbaruar “Rruga e Top-Hanës” dhe kanalizimet në “Rrugën e re të Top-Hanës”. Bashkia e Shkodrës në këtë kohë, mbaroi disa trotuare të “Parrucës” dhe rrugës kryesore që atëhere quhej “Washington”. Rregullimin e lulishteve të kësaj rruge dhe ngritjen e asaj të quajtur “Zog i I”. Mbarimin e rrugëve të “Ajasmës” dhe “Qafës”. Ishte koha kur Bashkia e Shkodrës, shtronte rrugë jo vetëm me “çakull”, por edhe me asfalt.  Ishte koha e largët e vitit 1933, kur ka filluar ndërtimi i “pendës së Kirit” dhe rrugëve të brëndëshme të lagjeve të vjetra të Shkodrës. Ishte koha kur Bashkia mendonte realisht për qytetarët, dhe këto të fundit shikonin se institucioni vepronte. Ishte koha, kur Kryetarët e Bashkisë, nderonin çdo frangë ari, çdo të ardhur, dhe kjo mënyrë veprimi kishte rregullat, e për më tepër burrat e ndershëm, që kthenin menjëherë pagën e cila edhe pse e marrë për hall të madh, ishte detyrim që të kthehej. Bashkia e Shkodrës, është patjetër shëmbulli më i vjetër, më i pa shkëputur i pushtetit vëndor në Shqipëri, por edhe shëmbulli i një administrimi që ka nxjerrë dhe nxjerr burra që sillen si të tillë, pikërisht si burra, kur janë në pushtet.


lunedì 25 luglio 2011

Shirqi dhe kisha e vjeter ku martoheshin princa e mbreter


Kisha e Shirqit, ose monumenti i jashtëzakonshëm në luftë me Bunën.

Kisha madhështore dhe pamja e fundit normale e saj.

Orthodokse apo e krishterë romane, kjo ka qënë edhe “rropatja” e hulumtuesve.

Historia e një kishe legjendare, ku martoheshin mbretët.

Uji i vendosur  të zhdukë, kishën 1400 vjeçare.


Kisha e Shirqit dhe fotot e vjetra te saj. Jo te botuara
Nga Besi Bekteshi

Po të shikosh në distancë prej 20 km nga qyteti i Shkodrës, në krahun e majtë të Bunës, është edhe fshati Shirq, dhe në afërsi të buzës së ujit është kisha e jashtëzakonshme për nga rëndësia historike dhe religjonare, por edhe nga trashëgimia që sot i thonë “Kisha e Shirqit” dhe kur dikur janë kurorëzuar princa shqiptarë dhe malazezë. Normalisht nën rrënojat e saj të sotme ka akoma eshtra fisnikësh, por dikur nga ujrat janë marrë edhe eshtra princash dhe njerzish të rëndësishëm të varrosur në shekuj në këtë teritor. Në fakt është konsideruar malazeze dikur kjo kishë, dhe është bërë një gafë e madhe për të mos u ruajtur, por sot shumë persona e kanë kuptuar se është pjesë e ADN-së shqiptare në histori dhe fisnikëri e religjon kjo kishë kaq e vjetër në tërësinë e saj. Kisha është rrezikuar, dhe akoma rrezikohet nga Buna dhe përmbytjet, por në Muzeun e Shkodrës, ka foto që tregojnë edhe madhësinë e saj reale që sot nuk duket. Muret datojnë që në fillimet e shekullit të VI-të dhe normalisht është përdorur për martesat e princërve në të dy anët e Bunës. Kisha ju është kushtuar shënjtorëve Sergji dhe Baku dhe populli kishën e  njeh me atë të “Shna Prendes” dhe i lutet kështu asaj. Normalisht Shirqi në mesjetë, ka qënë port i Shkodrës si edhe Oboti pak më larg, dhe sëbashku me Bunën ishin edhe ndalesat e anijeve të kësaj zone kaq të zhvilluar mesjetare. Shirqi ka pasur edhe doganën si një pikë adminitrative dhe zhvillimi ekonomik. Kisha e vjetër, ka qënë e stilit romano- gotik, dhe duhet thënë se studiuesi i madh Theodor Ippen, ka përshtatur dhe shpjeguar një mbishkrim të vjetër në gurët e kishës që dilte se kjo mrekulli i vjetër ishte ndërtuar plotësisht në vitin 1290-të nga mbretëresha franke Helena. Ajo ishte  bija e Perandorit Baldovin II, grua e Mbretit të Rashës i quajtur Urosh I dhe regjente e “Mbretërisë së Rashës”, sipër Shkodrës. Ippen-i, nuk pati shumë kohë të shpjegonte qartë se “rindërtimi” ose shprehja e qartë në gurë: “edificavit de novo istam ecclesiam”  që do të thotë “e ndërtoi rishtas këtë kishë” për të kuptuar të gjithë, që Helena si origjinare religjoni katolik, ka rikonstruktuar një ndërtim që vjen nga Justiniani. Mbështetur në tekstin apokrif “Jeta e Justinianit” (Apocrypha Vita Justiniani), autorët e Acta-ve, janë përpjekur të saktësojnë që kisha në fjalë, lidhet me një manastir aty në atë vënd paraekzistuese të urdhrit të Shën Benediktit, themeluar nga vetë perandori Justinian në shek. VI (Acta, I, nr. 76). Simbas mbishkrimit të dytë, që ndodhej mbi arkitraun e portës kryesore, kisha del edhe e ndërtuar nga mbreti Urosh (Milutini), pa përmendjen në këtë rast e s’ëmës Helenë, por me ndihmën e një abati shkodran të quajtur Pjetër Dochne. Bllokun e gurit, Ippen-i e gjeti të dëmtuar ne mes të tij, pikërisht aty ku duhej të ishte edhe viti, dhe e dha vitin me hamendje, sipas shumë gjasave dhe mendimeve  si viti 1293. Por mbishkrimet, qenë botuar më 1875 edhe nga Augustin Theiner-i (Monumente të vjetra, II, 218), i cili i jepte simbas një relacioni që e konsideronte të Pjetër Bogdanit, dhe ky mbishkrim i dytë në këtë relacion, rezulton i vitit 1318. Sa kohë ka shkuar, dhe kisha është kaluar nga historia religjonare e ka “lundruar” midis ortodoksisë dhe katolicizmit, duke qënë e qartë se ndërtimi dhe rindërtimi janë vepra të besimit dhe kohës së kishës romane!? Po kështu, e kanë dhënë më 1879 Jireèeku (Rrugët tregtare, 66 shën. 210) dhe më mbas Jastrebovi, i cili edhe e vizitoi kishën e rrënuar (Serbia e Vjetër dhe Arbëria, 160). Duke qenë se në botimet në fjalë, (në relacionin) nuk përmendet ndonjë thyerje guri, duhet besuar që të jetë i saktë 1318-a. Ka gjasë, që në këtë mbishkrim të jetë fjala për një ndërtim të dytë, (ose të tretë të kishës nga Uroshi për shkak të dëmtimit të saj prej ujërave të Bunës dhe nevojës së tërheqjes në një kishë tjetër, më në brëndësi të tokës. Dëmtimet që kishte pësuar kisha me pushtimin osman gjenden të përshkruara, ndër të tjerë, prej Imzot Marin Bizzi-t në Relacionin e tij të 1611-s. “Ishte me një strukturë të madhërishme, - shkruan ai për të, - në gjendje të merrte brenda 3.000 vetë”. Konsulli frëng në Shkodër Degrand dhe konsulli austro-hungar po aty Ippen, studionin dhe merreshin në kisha të vjetra dhe rrënoja kishash në Shqipëri (1900). Ippen-i bëri inventarin të asaj kohe, regjistroi, lexoi dhe trans-shkruajti dy mbishkrimet, përshkroi teknikën e ndërtimit dhe llojet e materialeve të ndërtimit. Me rëndësi për historinë kishëtare dhe kulturore është vërejtja e tij: “Mbretëresha Helenë mbeti një katolike besnike, ndonëse ajo nëpërmjet martesës kishte ardhur në një familje dhe në një vend, që lëkundej midis besimit katolik dhe atij grek” (ortodoks) - (230). Ippen-i u shqetësua edhe për të ardhmen e rrezikuar të këtij monumenti të rrallë: “Mjerisht ky monument i bukur, për shkak të parregullsisë së trishtueshme dhe gjendjes së keqe të sistemit lumor në provincën e Shkodrës, mund të ruhet vetëm për pak kohë” thotë ai. Ujët e lumit, përparon pandalur drejt kishës, saqë fasada anësore që sheh andej, tani është nën ujë, e rrëzuar në shtratin e lumit. Ekziston rreziku që Buna të shkëpusë nga bregu atë copë toke, mbi të cilën ngrihet kisha, duke e marrë më mbas ndërtesën, që do të mbetej si ishull, me vërshimet e njëmbasnjëshme. Në këtë rast, zona e Bunës, do të humbiste një simbol, i cili nga kurora e drurëve shekullorë që rrethojnë kishën spikat që së largu përmbi fushë”. Degrand-i, nga ana e tij, e ka lënë të pëshkruar në “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”. Ai regjistroi shumë mbetje, që mund të gjendeshin ende në kohën e tij: një shtyllëz, një basoreliev (me një shqipe me krahë të hapur përmbi), kupën e ujit të bekuar me stolisje të veçanta, por edhe mbetje pikturash me figura shenjtërish, madje në një pjesë të paprishur të kupolës një figurë të madhe me mjekër të zezë, ndërsa nëpër muret shenjtër tre nga tre (96). Por në vitet “30 me historikun e saj” është marë historiani At Marin Sirdani, në punimin “Mbretnesha Helena de Francia dhe Kisha e Shna Prendes në Shirq” (“Hylli i Dritës”, II, 1930). Ky bëri matje të reja të reja të kishës, përshkrim të hollësishëm gjithashtu me të dhëna të reja rreth saj, por ai pati kujdesin të vinte re elementet bizantine në stilin e saj. Çfarë ka më rëndësi, ai ia doli të ndante mirë dy kishat afër ekzistuese njëra me tjetrën aty: Atë të “Shna Prendes” me mbishkrimin përkatës dhe atë të “Shna Bakut” ose, si e thërrisnin vendësit, “Shna Baftit”, me mbishkrimin e saj. Ky ka qënë edhe një arsyetim i jashtëzakonshëm model i shpjegimit historik më modern dhe të besueshëm. Në vitin 1953, gurët me mbishkrime i gjeti në ujët e Bunës Theofan Popa, i nxori nga atje dhe ata u vendosën në Muzeun e Shkodrës. Sa u përket dy mbishkrimeve, Popa ishte i mendimit që rindërtimi i Uroshit (Milutin) mund të jetë bërë eventualisht në vendin e ndonjë kapele të vogël paraekzistuese të “Shna Prendes”, përderisa në popull, kisha vijonte të quhej “e Shna Prendes” dhe në këtë mënyrë, gjen shpjegim edhe ekzistimi i dy mbishkrimeve të ndryshme në të njëjtën ndërtesë, gjithmonë sipas Popës. Teza e tij qe pak a shumë ajo që kishte shtjelluar Sirdani më 1930-n. Nga vitet ‘60 e më vonë” u interesua për këtë kishë posaçërisht studiuesi Willy Kamsi, i cili arriti të shpëtonte ndonjë mbetje, por edhe t’i parashtronte arsyetimet e tij në kumtesa, si “Një kishë e stilit romano-gotik në Shqipërinë e Veriut” (1984) dhe “Kisha e Kuvende të Shkodrës me rrethina në Mesjetë”. Guri me mbishkrimin e vitit 1290 ruhet  në Muzeun Kombëtar në Tiranë, ndërsa ai me mbishkrimin tjetër, të 1318-s, ndodhet në Muzeun Historik të Shkodrës. Nga kisha e famshme, mbetet shumë pak gjë, dhe tashmë është një mur gjysëm në rrëzim e sipër e ka shumë më tepër gurë dhe reperte në ujrat e Bunës. Ka  pastaj skica dhe foto nga Ippen dhe Degrandi, por kanë lënë edhe Cordignano dhe Bettini, dy nga fotot e vjetra janë në muzeun e Shkodrës. Kisha e Shirqit vazhdon të luftojë me ujrat e Bunës dhe po ashtu edhe me historinë e saj në kohën moderne dhe historinë akoma të pa shkruar qartë, të shqiptarëve.


Ciano ne Shkoder foto e kohes

Galeazzo Ciano, gëzohet se ka mësuar shqiptarët të hanë “dy herë në ditë”, dhe hyn në Shkodër me makinë të karamboluar.

Ciano, ose njeriu që qëndronte midis Duçes dhe Mbretit, për “La Grande Albania”.

Besi Bekteshi
Gazetar, historian ne Arkivin e Muzeut Historik Shkoder



Ka disa dhjetra foto të vizitës së Galeazzo Ciano, ose “ministrit dhëndër” të Duçes, në Shkodër. Patjetër që fashizmi i përgatiti një hyrje triumfale Ciano-s, dhe në të vërtetë, ashtu i shkathët dhe shumë më tepër modern, se sa shumë të tjerë eksponentë të fashizmit të ardhur në Shkodër, ka bërë një lloj buje në atë kohë, duke qënë se ishte në idetë e tij një “mbrojtës i një Shqipërie të madhe”.
Shkodra në piacën e saj ishte veshur me ngjyrat e flamurit shqiptar, por edhe atij italian në trikolor. Kishte stema të ngritura në lartësi që tregonin “fashion”, dhe po ashtu edhe Shqiponjën. Një nga parullat tipike të modelit ideologjik të momentit të një entuzismi fashist ishte: “Ciano ci hai liberati” e që përkthehej më poshtë “Ciano na ke lirue”. Normalisht kishte parakalime foklorike dhe banda të ndryshme, dhe shumë ushtarë me përshëndetjet e fashizmit. Ciano ka vizituar disa qëndra, dhe ka biseduar, por më tepër ka dashur të ecë shpejt në Shkodër. Por ajo që ka rënë në sy më tepër, ka qënë makina e tij e karamboluar. Në fakt makina e zbuluar e Cianos, në krahun e djathtë, ka pasur një goditje relativisht të fortë, ka pasur një fener të djathtë të thyer, mbulesën e gomës së djathtë të dëmtuar, maskarinën pjesërisht të dëmtuar, dhe në këtë gjëndje makina e Cianos ka sfiluar në Shkodër. Nuk ka mbetur pa u vërejtur kjo gjë jo e natyrshme, për një ceremonial të tillë të rëndësishëm në qytetin e madh të veriut, duke qënë se Ciano është lartësia më e madhe fashiste dhe si ministër, por edhe si dhëndër i Duçes. Makina e dëmtuar është me timon në krahun e djathtë, dhe në ato kohë u justifikua me pikërisht këtë “difekt”, por ama nga pamjet duket qartë, që ka qënë një goditje nga lart poshtë në të djathtën e makinës. Ciano në atë kohë vinte në momente të një pushtimi dhe me idetë e tij të një Shqipërie të madhe, por që e vinte midis dy zjarrve që ishte vjehri i tij që nuk pyeste për jugosllavinë kaq shumë (në fillim kishte edhe idenë e Shqipërisë së Madhe) dhe Vittore Emanuele III, që kishte gruan nga Mali i Zi. Në ditarin e tij ai thotë: 22 maj 1940 nisem për Durrës. Arrij në Durrës dhe Tiranë, ka një pritje të ngrohtë. Shqiptarët janë të shumtë në një rrugë ndërhyrjeje (e ka fjalën për vazhdim të pushtimeve) dhe duan Kosovën dhe Çamërinë. Është e lehtë për ne që të shtojmë popullaritetin, duke u bërë kampionë të nacionalizmit shqiptar. 23 maj, vazhdon Ciano, vizitoj Shkodrën.......pastaj Rubikun. Aty është një minierë e bakrit shumë premtuese. Veprat publike që kam vizituar këtë mëngjez janë një sodisfaksion. Gjithkund ka një mirseardhje të ngrohtë. Populli shqiptar na është mirënjohës që “ju kemi mësuar atyre të hanë dy herë në ditë”, sepse kjo, rrallë ka ndodhur më përpara. Kjo duket shkruan Ciano “edhe në aspektin e tyre fizik i cili tregon një mirëqënie më të madhe”.  Ciano duket tepër i ngazëllyer dhe i lumtur nga Shqipëria. Por ai për një vit rresht, do të ketë punë me kërkesat e Mbretit të Italisë i cili do që të restaurojë dinastinë e Petroviçëve në Montegro. Ai shkruan në 24 prill të 41 se : Me Acquarone do të sistemojmë një vizitë që mbreti do të bëjë në Shqipëri. Duhet të flitet edhe për restaurimin e dinastisë së Petrovicëve.....duhet të shkojmë me qetësi dhe lehtësi drejt kësaj, sidomos për të mos ju kutuar shqiptarëve “krijimin e një dinastie të tyre”. Pastaj Ciano thotë në 28 prill: Mbreti insiston në restaurimin e dinastisë në Malin e Zi, por kam frikë se kjo mund të krijojë tensione në Shqipëri. Megjithatë nyja më e rëndësishme është çështja e kufirit midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. E normalisht sipas ditarit të diplomatit të fashizmit Serafino Mazzolini i cili ishte caktuar edhe si “Komisar i Lartë” dhe që kishte lidhjet me Cetinjën” Ciano mbronte Luogotenenten e tij në Tiranë Jakomonin, i cili kërkonte të mbronte kufijtë e Shqipërisë, por me Ulqinin brënda dhe një pjesë të teritoreve që ishte në Malin e Zi. Kështu thuhet në kujtimet e Mazzolinit të sjella në kohë nga Giani Rosi në “”Ditari i Diplomatit”. Biles aty thuhet se “Mazzolini” po kujdesej të lajmëronte Romën të kishte vëmëndjen për “ipersensibilitetin e Malit të Zi”  e cila vinte nga historia konfliktuale midis dy popujve. Ka pasur edhe letra të tjera dërguar Cianos për pikërisht bashkimin e Ulqinit dhe tokave të tjera Shqipërisë, të cilat kanë pasur irritim dhe pakënaqësi të madhe në Mal të Zi. Në këtë sens thotë Mazzolini, Ciaon tenton një “mediazione” për të marrë garanci të shqiptarëve, për pronat e malazezëve në tokat që do ti kalonin Tiranës. Por kjo gjë sipas tij garantohesh nga “compagine imperiale italiana”.
Gjithsesi me 21 maj të 41, Ciano tregon qartë në ditarin e tij se “Mbreti kërkon ti kthejë Malit të Zi kufirin e 1914-tës, por kjo është e pa mundur, sepse “ne e dimë çfarë mund të ndodhë në Shqipëri” dhe dimë mirë ato që i quajnë padrejtësi nga traktati i Versajës. Ciano ka luajtur gjithmonë me letra të “sigurisë” për Shqipërinë, edhe në saj të vizitave të tij në vëndet ku në Shqipëri shikoheshin minerale dhe burime të jashtëzakonshme. Në foto, Ciano duket edhe në malësi, afër burimeve dhe pikave strategjike dhe normalisht miqësia me Jakomonin që nuk pëlqehej nga Duçe për shkak të falimentit të fushatës me Greqinë, e kishte bërë disi “pro shqiptar”.
Megjithatë fotoja e Marubit, ku Ciano futet në Shkodër me makinën e tij të dëmtuar nga një karambol, është ajo që ka mbetur më tepër në celuloid në qytetin e vizitës së Ministrit të Jashtëm dhe dhëndërrit të Duçes, i pushkatuar nga ky i fundit, në  11 janar të vitit 1944.






Piktura dhe etnosi i piktorit dhe etnografit Simon Rrota

Simon Rrota, etnosi, dhe piktura jo shumë e njohur e tij.
Piktori shkodran dhe studimi i trevës në punimet e tij.
Artit i “Rilindjes” në pikturën e Simon Rrotës.

Nga Besi Bekteshi


Një nga piktorët më të shquar të qytetit verior, i cili ka nxjerrë në vazhdim breza piktorësh dhe që është marrë shumë me etnosin është Simon Rrota. Profesor Simon Rrota ka jetuar në dy periudha të rëndësishme të gjysmës së parë të shekullit 20-të dhe normalisht ka bërë të mundur ruajtjen në pikturë të karakterit etnik dhe kulturor sidomos të trevës së Shkodrës, por edhe të veriut në përgjithësi. Për Simon Rrotën, vazhdimi në pikturë kryesisht për etnosin, ka shërbyer për të ruajtur jo vetëm origjinalitetin në pikturën e tij të frymëzuar nga ajo e rilindjes italiane, por edhe për të mos rënë në skematizmin ideologjik të kohës në periudhën e parë të realizimit socialist. Në arkivin e pasur të pinakotekës në Muzeun e Shkodrës, janë disa punë të shkëlqyera të prof Simon Rrotës. Ato janë punë që një pjesë janë përmëndur dhe dy prej tyre kopjuar nga shumë piktorë në Shqipëri, por eventualisht ato janë punë të pa para në Shqipëri në mënyrë të saktë, të drejtpërdrejtë, dhe normalisht të pa studiuara ekzaktësisht, sidomos në fokusin e sotëm të mbas viteve 90-të. Simon Rrota ka lindur në Shkodër në 23 tetor të vitit 1887-të dhe mësimet e para i mori në shkollën fillore të Françeskanëve, ku u zbulua dhe kultivua prirja për pikturë.  Ai ka qëndruar edhe në studion e Idromenos, ku normalisht është influencuar nga dijenitë tepër universale të mjeshtrit të madh. Më vonë ka shkuar në Itali në “Akademinë e Arteve të Bukura” të Brerës, dhe më vonë shkoi në Francë duke kultivuar edhe aty mjeshtërinë e artit në përgjithësi. Mbas vitit 1922, hapet “Gymnazi” në Shkodër, dhe normalisht ai ka qënë profesori i parë i vizatimit për katër dekada. Prej dorës së tij, kanë dalë shumë breza të talentuar jo vetëm piktorësh, por edhe artistësh dhe inxhinierësh në përgjithësi. Respekti dhe morali i mësimdhënies nga Simon Rrota, është legjendar si profesor i vizatimit në qytetin e Shkodrës, dhe në përgjithësi brezat kanë vlerësuar shumë punën e tij të jashtëzakonshme. Ai ka vazhduar deri sa vdiq në 27 janar të vitit 1961 të kontribuojë edhe në Muzeun e Shkodrës, dhe aty ai ka edhe shumë punime për trevën e Shkodrës, zejtarinë dhe veprimtarinë njerzore. Në Tiranë janë disa punë të tij të rëndësishme si “Një shtëpi e vjetër shkodrane”, “Derë e vjetër shkodrane”, “Një grua shkodrane” dhe “Shiroka”, por ama në Shkodër, janë disa kryevepra të cilat kanë brënda edhe etnosin, por edhe cilësinë e pikturës dhe stilit të prof Simon Rrotës. Në qoftëse Idromeno ka si kryevepër dy vepra si “Motra Tone” dhe padyshim “Dasma Shkodrane”, pa përmëndur kryeveprën folklorike dhe kostumografike “Dy rrugët”, Simon Rrota ka “Një grua e vejë” dhe “ Një grua e re” të kryera në vitin 1928-të.  Të dy këto kryevepra artistike, kanë të bëjnë me artin e madh të cilësisë së aspektit etnos dhe të shprehjes në humanizmin shprehës. Simon Rrota në dy këto piktura ka dashur të qëndisë femrën shkodrane në bukurinë dhe krenarinë e saj, veshjen e jashtëzakonshme qytetare shkodrane në një kompaktësi dhe art pa asnjë lëshim në cilësi. Vizatimi rigoroz i prof Rrotës dhe ngjyrat besnike bashkohen edhe me shprehjen femërorre në një unitet të madh artistik. Por është edhe piktura “Një malësor nga Dukagjini” e cila është bërë në vitin 1935-së, por edhe kryevepra etnos “Në Pazarin e Shkodrës” një nga pikturat më të arritura dhe akoma jo e vlersuar në cilësinë dhe modernitetin e saj të kohës. Kjo kryevepër është bërë në vitin 1947-të, por ama ka parasysh një kohë më përpara. Aty kostumografia dhe modeli jetësor marrin jo vetëm ngjyrat, por edhe detajet e një arti që kalon nga detajimi i përpiktë në një sistem perspektiv njerzor që të bën të ndalesh gjatë. Simon Rrota edhe në rrugë të Idromenos arrin të jetë një etnograf jo vetëm në pikturë, por edhe në punimet shkruara të tij. Nga më të pëlqyerat dhe që nuk është vlersuar në mënyrë të duhur nga kritika gjithmonë e munguar në Shqipëri është dhe një nga kryeveprat etnos dhe ideore të Simon Rrotës. “Malsori tue numrue paret” është një nga pikturat e forta që të përball me një çast të jashtëzakonshëm etnosi të vërtetë të trevës dhe malësisë së Shkodrës. Porsa ka dalë nga pazari i madh i qytetit, malësori paraqitet në një mjedis të qytetit, me kalin e tij dhe duke mbështetur njërën këmbë në një gurë numëron perat e fituara. Çasti dhe raporti i ngjyrës e cila është një ndezje midis të portokallisë në të errët të mbasdites janë një mrekulli urbane e përzier me etnos pa fund. Kjo kryevepër është mbaruar nga Simon Rrota në vitin 1947-të. Por edhe në vitin 1950-të vazhdon etnosi me anën e pikturës së titulluar “Një terzi i vjetër në dyqanin e tij” ku paraqitet një rrobaqepës shkodran i veshur rregullisht në kostumografi etnike dhe qytetare rrath 50-të vite më përpara. Piktura është vërtetë një foto e realitetit, por forca qëndron te ekspresioni i terziut shkodran tipik në atë kohë. Simon Rrota edhe pse ishte një person që kuptonte realitetin nuk u ngatërrua shumë me të. Ai qëndroi në etrnosin e tij të jashtëzakonshëm dhe nuk arriti të “sëmuret” nga “duart e trasha dhe kustumografia socialiste e asaj kohe”. Simon Rrota nuk  “qëllua” nga regjimi, përkundrazi është nderuar prej tij, por një arsye është se ai vdiq më përpara se sa kur dikush të kujtohej se kishte qënë i edukuar nga françeskanët dhe kishte bërë shkollë jashtë shtetit.
Një nga gjërat interesante të Simon Rrotës dhe që nuk njihet shumë jashtë Shkodrës është se ai ka bërë punime dhe studime të cilat janë në Arkivin e Muzeut të Shkodrës mbi Punimin e “Mëndafshin dhe Leshin” në Shkodër. Ai bën historikun e këtyre lëndëve të rëndësishme të trevës dhe ka përmëndur edhe personat që kanë bërë kultivimin dhe punimin e tyre në Shkodrës si qyteti parësor në këtë drejtim në trevat shqiptare. Ai ka shpjeguar qartë se kjo industri ka qënë e zhvilluar dhe nuk ka dyshim që ka lënë një trashëgim në këtë dejtim. Por edhe për “linin dhe shqemën” tashmë të harruara, prof Simon Rrota ka bërë historikun  dhe ka lënë edhe në këtë lloj veprimtarie një trashëgimi të pasur.  Një nga punimet e rëndësishme të prof Simon Rrotës është edhe “Shkollat e Vjetra të Shkodrës” dhe aty ai hedh dritë mbi zhvillimin e shkollës në qytetin kulturor në vitet 1850 me mësuesit e parë Gjon Shkrumi, Gegë Bushiqi, Jak Speci, Shor Markja etj etj. Simon Rrota tregon edhe për shkollat e hapura nga Kushe Micës për femra dhe sidomos për Tina e Nik Gjergjit. Pastaj ai përmënd edhe shkollar e klerit katolik dhe mejtepet e myslimanëve duke treguar realitetin shkollor tepër të zhvilluar në Shkodër.
Akoma më shumë ka rëndësi punimi i prof Simon Rrotës mbi “Pikturën dhe piktorët shkodranë të hershëm. Ai përmënd Idromenon ose Arsenin, Ndos Martinin si profesionistë dhe vazhdon me Kosto Harapin, Gjon Kurtin, Shuk Çota, por përmënd edhe Gjergj Fishtën si një piktor jo profesionist dhe ky ka qënë një guxim i tepruar i tij duke pasur parasysh “konsideratën” që regjimi kishte për klerikun dhe epikun e madhe shqiptar. Ai përmënd  edhe Gjok Picin dhe Zef Pukën, por edhe Anton Xanonin dhe Ludovik Kiçin. Normalisht Rrota ka përmëndur edhe një nga ish nxënësit e tij që vdiq në luftë Jordan Misja, por edhe Zef Kolombin si një piktor i famëshëm dhe i madh shkodran.
Simon Rrota ka edhe një vizatim tashmë të jashtëzakonshëm në karbon që është portreti i “Skënderbeut” një nga më sinjikativët i bërë një vepër që qindra nxënësit e tij e rivizatonin. Ai ka qënë një edukator i jashtëzakohshëm e ndjenjës kombëtare dhe mbetet sëbashku me Kol Idromenon një nga piktorët që përbëjnë krenari kombëtare për etnosin dhe pikturën e jashtëzakonshme që përbën edhe “Rilindjen” e artit shqiptar. Të gjitha pikturat e tiju kanë zgjimin e kombit dhe lartësimin e ndjenjës si pikërisht kombit dhe kulturës shqiptare. Simon Rrota natyrisht është një piktorët më të lartë të Shqipërisë dhe punët e tij janë edhe në shumë shtëpi dhe zemra jo vetëm të shkodranëve dhe shqiptarëve, por edhe në botë.

Shqipëria e parë me ngjyra në karikaturë, nga vitet 1910-11.

Europa dhe marrëdhënet e saj me Turqinë dhe Shqipërinë, në karikaturën Bolonjeze.

Humori politik, dhe karikatura e lëvizjeve çlirimtare nga perandoria Turke në vitet 1910-11.

Nga  Besi Bekteshi
Pergjegjesi i Arkivit ne Muzeun Historik Shkoder

Në Muzeun Historik të Shkodrës, janë si materiale të mirë ruajtura edhe disa faqe gazetash të cilat tashmë kanë kaluar 100 vjetorin e krijimit të tyre. Në të vërtetë në Shkodër, edhe në vitet 1910-11, vinin rregullisht disa kopje të ateherë të famshmes “Papagallo” e cila ishte në vitin e saj të 38-të të prodhimit. “Il Papagallo” ka filluar të dalë në vitin 1873 dhe është mbyllur në vitin 1915-të në Bolonja. Ajo konsiderohej e para gazetë me ngjyra, humoristike, politike italiane, dhe dilte çdo të diel në dy gjuhë që tjetra ishte rregullisht frengjisht.  Normalisht që personi i parë me ndjesi politike në karikaturë ishte Augusto Grossi, dhe ishte në dy pjesë si revistë orientale dhe perendimore. Në frengjisht quhej “ Le Perroquet” dhe ka pasur një cilësi dhe përhapje të jashtëzakonshme si në Itali, dhe po ashtu edhe perëndim, por edhe në Ballkan e normalisht në Shqipëri në qytetin e Shkodrës. Nuk ka asnjë dyshim që karikatura politike, dhe cilësia e saj në Itali, ishin të mëdha dhe përdorimi i ngjyrës në një faqe të madhe komplete, përbënte edhe cilësinë e jashtëzakonshme të gazetës në fjalë.  Humori politik, dhe karikatura në atë kohë, zëvëndësonin foton dhe historinë e cila sot shikohet në faqe interneti dhe ndiqet me anën e videove dhe fotove të shumta. Zakonisht në Shkodër kjo gazetë, vinte në ditën e mërkurë dhe qëndronte në duart e asaj “aristokracie shkodrane” e cila ndiqte me vëmëndje edhe shtypin europian. Gazeta shkonte edhe në përfaqësitë e Shkodrës, e cila i kishte më të shumtat në Shqipëri. Në një prej këtyre faqeve humoristike, në karikaturën politike, shikohen një grup përfaqësuesish duke nisur nga ai turk, malazes, grek, italian, serb, anglez dhe rus, që po luten “për Shqipërinë” dhe në fund thirrja përfundon me  “Kërkojmë shumë paqe për Shqipërinë në kor” dhe që në italisht mbaron në “coro...oro...oro.orooooo!!!” Pra mbaron me ar dhe pasuri që të gjithë kërkojnë në Shqipëri. Në një tjetër, shikohet qartë edhe qetësia e turkut, si një plak tashmë, pa fuqi, dhe që në pemën e madhe të perandorisë, kanë hypur të gjithë për të marrë diçka. Janë frutat që të gjithë kërkojnë të marrin, dhe këto fruta, janë të mirat e pasura të deri tanishme të perandorisë, që të gjithë duan të ndajnë. Shikohet një anglez që mbledh në shaminë e tij shumë kokrra, dhe ju jep nga pak edhe të tjerëve, por shikohet edhe një gjerman i inatosur me turkun, që bën sehir dhe gjermanin e mbajnë përkrahësh një francez dhe një spanjoll. Një nga karikaturat më të bukura politike është edhe plazhi i ballkanit, ku duken të ndarë veç “malësorët”, “mirditsit” dhe “shqiptarët”, të cilët kërkojnë të hypin në varkën e “Vëllazërisë” ku janë edhe malaziasit dhe maqedonasit, por edhe boshnjakët e serbët. Shkon ku shkon historia, dhe përsëritet si në ditët e sotme, por pa pjesmarrjen e superfuqisë turke, e cila  aty del me anën e një gruaje e cila shytet, por që është parlamenti i ri turk. Kurse europianët qëndrojnë në rërë, dhe vështrojnë plazhin dhe manovrat e të vegjëlve të ballkanit, në fermentim politik dhe kombëtar. Është pastaj një pjesë e madhe e humorit politik, ku britanikët, italianët, francezët dhe rusët, mbajnë sipër duarve të tyre një shqiptar, dhe ja demostrojnë turkut të vjetër, i cili ju kujton premtimet e tyre. Normalisht në karikaturë, shqiptari është duke qeshur, dhe një malazias po fshin djersët, sepse historia tashmë ka luajtur rrezikshëm. Gjermanët dhe austriakët bëjnë sikur nuk marrin pjesë, por ama janë në një mëndje me kolegët e tyre me shqiptarin sipër duarve. Pastaj një nga karikaturat më të famshme të asaj kohe është edhe ndjekja që të gjithë i bëjnë turkut me anën e kërkesës për reforma dhe modernizim të Turqisë. Në figurë turku është duke vrapuar me peshat e tij të mëdha, dhe të gjithë duke e ndjekur pas. Por aty shikohet edhe shqiptari që heq fesin turk, dhe ka në dorë sipër një flamuri, kapuçin e bardhë të shqiptarëve dhe në flamur shkruhet: Rroftë plisi i bardhë i pavarësisë.  Tashmë bota perendimore, i ka vënë kushte dhe kufij shtetit që nuk mbahet në këmbë, pra shtetit perandori osmanlli. Një vit më përpara, është një karikaturë tjetër tashmë mbi 100 vjeçare, që tregon një shqiptar që me anën e një litari po tërheq në luftë fuqitë perendimore. Tregohen malet ku luftojnë të gjithë dhe kryesisht malësorë dhe shqiptarë, dhe të huajt që në fillim kishin fjalë të mëdha lirie,dhe tani po shkojnë të tërhequr në luftë nga çështja shqiptare. Ky ka qënë edhe një perceptim i kohës dhe karikaturat shërbenin për të krijuar idenë e siatuatës në rajonet e nxehta të luftës. Sjellja e shteteve perendimore, interesat e ndryshme dhe parrullat e kohës janë edhe domethënia e madhe e humorit politik. Por një nga më të bukurat dhe që ka lidhje për kryesisht Shqipërinë, është “ flutura shqiptare” që quhet “Kryengritja shqiptare”. Kjo flutur, po shikohet nga tavolina e madhe e politikës duke u lejuar të vritet nga konstitucioni turk. Aty shikohet të gjithë përfaqësuesit e shteteve të interesuar që bëjnë indiferentin, turqit që po ndajnë copat e perendorisë, pastaj gjermani që bën me dorë “nuk e shikoj dot”, apo anglezët që shikojnë se çfarë po ndodh apo edhe grekët që mbyllin sytë me që shpëtuan vetë. Është koha që gazeta shqetësohet për vonesën dhe menefregizmin europian karshi shqiptarëve dhe kryengritjes së tyre. Një nga më sinjikativet karikatura politike dhe me një mesazh të fortë është sheshi i betejës, ku përballë janë turqit dhe shqiptarët, gati me topat e tyre për zjarr, dhe të huajt europianë në mes. Karikatura tregon britanikun duke ndalur turqit, kurse shqiptari nuk hap dot zjarr, sepse francezët, italianët, rusët, gjermanët dhe austriakët janë përpara tij. Ndërsa në mal, luftëjnë malësorët, mirditsit sikundër i quan edhe gazeta, dhe malazezët. Është një tablo reale e asaj kohe tepër të zhurmshme dhe shesh beteje në truallin shqiptar. Kurse më madhështorja është lëvizjet në pavarësi e shqiptarëve apo Shqipërisë, e cila tregohet si një grua e fuqishme, e cila po shkul me forcë një tra të ngulur të varësisë, nga perandoria turke. Në këtë tablo Turqia paraqitet në kalë, por në rrëzim e sipër, duke tërhequr lidhjet që ka me Malin e Zi dhe Rusia që ka gërshërë për të ndihmuar pikërisht malazezët. Në tablonë e famshme shqiptarët tregohen se po dalin nga vasaliteti turk dhe pavarësia është tashmë çështje kohe.  Një gazetë e tillë e cila trajtonte problemet e kohës në këtë mënyrë është përhapur në mënyrë të zhurmshme në shtresat intelektuale si në Shkodër, por edhe në Malin e Zi. Sidomos në kryqëndrën e politikës shqiptare dhe problemin më të madh të Europës për ndërkombëtarët që ishte pikërisht Shkodra, kjo gazetë kishte dhe suksesin maksimal të saj. Sot kur ka më tepër se 100 vjet të kësaj gazete, shikohen qartë se politikat në përgjithësi janë bërë më të hapura, por ama afërsia e politikës edhe pse jemi në shtete tashmë demokratike, është tepër e madhe.