Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

giovedì 21 luglio 2011

Paradise and Hell

“Dy rrugët”, ose mendimi dhe etnosi gjigand, në pikturën e Idromenos.

Një nga Kryeveprat e Kol Idromenos, akoma jo e njohur nga publiku i gjërë shqiptar.

“Rrugët e Jetës” teatri jetësor i Idromenos.


“Dy Rruget”    Kol Idromeno

 Nga Besi Bekteshi

Gazetar, specialist historian, në “Muzeun Historik të Shkodrës”.


Skenat dhe kostumografia  te  “Dy  Rrugët” ose “Paradise & Hell” shqiptar të Idromenos, janë edhe lartësia më e madhe e ndonjë tabloje të modelit religjonar, por që artisti i madh i ka jetësuar kaq shumë dhe kaq bindshëm, sa që edhe në ditët e sotme, kanë pjesën e të vërtetës brënda një realiteti shqiptar. Piktura e madhe dhe tabloja gjithpërfshirëse në vetvete nuk janë promovuar, nuk janë ekspozuar dhe ndoshta dhe jo vlersuar, sepse koha dhe parimet shpesh herë jo të hapura, jo përparimdashëse dhe qytetërim dashëse nuk kanë lejuar. Por sot  në “Muzeun Historik të Shkodrës” është një nga veprat më të larta ideore të Kol Idromenos, piktorit, arkitektit dhe urbanistit, por edhe muzikantit dhe fotografit shkodran, Talenti i tij në të vërtetë, është shfaqur në tablonë “Dy Rrugët” e cila është pronë e Muzeut të Shkodrës dhe si pasojë e Bashkisë së këtij qyteti,vepër e cila ka lindur rreth viteve 1890-të dhe përmasat e saj janë 200 X 170 cm.  Kjo pikturë relativisht e madhe, është anashkaluar për dekada nga regjimi komunist, biles ai ka dashur ta përdorë, edhe pse nuk ka mundur të bëjë një intepretim të saj, me anën e “Muzeut Ateist” famëkeq në Shkodër. Kjo vepër, është një frymëzim Dantesk i Idromenos, por është një vepër e jashtëzakonshme e një realiteti kulturor, etnografik në saj të kostumografisë gjigande që ka, dhe normalisht religjonare, por dhe social-civilizuese, për mesazhin dhe moralin që tregon. Kur shikoj të famshmen pikturë të Hieronymus Bosch e vitit 1510, që është në Muzeun Del Prado, Madrid, dhe ka përmasat 135 X 45, më duket se Idromeno, është një realitetit krejt shkodran dhe shqiptar në kostumografi, dhe për më tepër në ide shumë më i qartë. Në fakt të dy tablotë mund të quhen “Paradise end Hell”, sepse tregojnë rrugët dhe ndarjen e njerzve drejt Parajsës dhe Ferrit. Por çfarë ka ndodhur te Idromeno rreth viteve 1891-92, kur e ka filluar këtë punë gjigande për nga përmasat e saj, dhe sasisë së individëvë, kostumeve dhe skenave që kjo tablo paraqet? Në një farë mënyre, për katër vepra të mëdha të Idromenos që janë  të mbetura sot,  ka dhënë disa përgjigje në librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” të konsullit shumë të kujdeshëm dhe shpirtërisht artist austriak, Ogyst Degrand. Këto vepra janë: Rrugët e Jetës, Gjygji i Fundit, Betimi i Rremë dhe Martesa e Parregullt. Por Idromeno ka prodhuar në këtë temë religjoni dhe morali edhe “Vdekja e Kapadaisë”, “Ora e Fundit”, “Gjygji i T’keqit” dhe “Të Shenjturuemit e Marisë”. Ka ndodhur ajo që autori, por edhe kisha në ato vite, kishin zbuluar dhe tashmë mërzitur shumë, nga një lloj amoraliteti shoqëror dhe tendenca është moralizimi, kthimi në rrugën e drejtë, por edhe qytetërimi, dhe largimi nga jeta turkoshake apo më mirë të themi nga dembelizmi dhe padituria në rrafshin masiv.  Pra kemi të bëjmë me kritikën reale ndaj veseve, dhe modelit të jetës në atë kohë, dhe jo vetëm në fshat, por edhe qytet. Por ama Idromeno, këtë e bën duke paraqitur në tablo, qindra kostume dhe modele të tyre. Në fakt te “Rrugët e Jetës” ka mbi 130 figura njerzore në detaje dhe po ashtu më tepër se sa 30 figura të mirë detajuara si të ëngjëjve dhe djaj. Figurat shkojnë deri në 200, por detajimi është në më pak se sa kaq. Ka mbi 60 figura që janë saktësisht të detajuara si me kostumografi dhe tipologji artistike therëse. Normalisht janë mbi 12 skena të mirë detajuara me shumë njerës dhe lëvizje, dhe rreth 10-të të tjetra që kanë brënda një marrëdhënie me shumë pak personazhe. Në tablonë e madhe “Dy rrugët”, ndjehesh  si në një skenë teatri dhe patjetër në Shkodër. E konceptuar si “Parajsa dhe Ferri” ndarja e kalimit të turmës në dysh, njëra te “Porta e Ferrit” në pjesën e poshtëme të tablosë, dhe tjetra më e rrallë në personazhe që futet në “Purgator” dhe më vonë në “Parajsë”, është e vendosur në pjesën e sipërme. Por në fakt në Parajsë, shkohet si në rrugën e Kalasë së Shkodrës. Idromeno ka vendosur të njëjtit gurë, të njëjtën zik-zake, dhe po ashtu të njëjtin ndriçim diellor dhe hyjnor, që ka “Rozafati”. Idromeno ka krijuar madhështinë e “Parajsës” me aureolën e duhur të ndriçuar, por rrugën e ka trajtuar si rrugën për tu ngjitur në  “Kala të Shkodrës”,  dhe patjetër në ngjitje për te ky vënd i bekuar, janë njerëz të thjeshtë, të varfër, klerikë dhe patjetër ndershmëria si vyrtyt. Megjithatë, deri në sipërfaqen e madhe të lartësisë së rrugës për në Parajsë, ndërhyjnë djajtë ,të cilët arrijnë të marrin ndonjë individ, që me sa duket nuk është person që i mbrohet tundimit edhe në këtë rrugë. Rruga për në Parajsë sipas Idromenos, nuk është e pasur me pemë, sheshe dhe vënde, ku mund të lëvizësh kollaj, jo, është një pjesë shkëmbi, e cila nuk ka shumë alternativa, përveç një, e cila në fakt është vendosur si një pikë kthese. Kurse “Ferri” i Idromenos, është i detajuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Nuk është i tmerrshëm, përveç fundit të tij, ku djatë i hedhin mëkatarët me anën e shqytave në zjarr. Përkundrazi, natyra është tepër e bukur dhe jeshile. Është sërish natyra e jashtëzakonshme e Shkodrës, po ato çinare dhe po ato livadhe jeshilë si në Shkodër. Në Portën e “Ferrit” e stërmadhe dhe gati....mikpritëse, Idromeno ka vendosur një turmë të madhe njerzish, që me “hare” dhe në inkoshiencën e madhe njerzore hyjnë me habi dhe kurreshtje, të ndihmuar dhe regjistruar nga djajtë me flatra që harbohen në portë.

 Ngjyrat dhe kostumografia janë  të mrekullueshme. Mbi 20 lloje kostumesh burrash dhe grashë, por edhe fëmijësh, janë detajuar qartë, në këtë turmë laramane. Janë vitet e fundit të 1900-tës dhe Idromeno, ka vendosur kostumografinë e veriut, Shkodrës veçanërisht, si madhësi, ku spikatin malësia dhe fusha, por edhe raportet midis tyre. Ka kostume qytetare myslimane dhe katolike, por është edhe Zadrima dhe Dukagjini, apo Kelmendi. Janë edhe nga fushat, ka nga të gjitha ngjyrat dhe format. Në portën e madhe, ku janë rreth 43 personazhe kryesisht të detajuar në pjesën e sipërme, spikasin 9-të personazhe, prej tyre 3 gra, dhe pjesa tjetër burra, që janë detajuar mrekullisht nga mjeshtri i madh i pikturës shkodrane. Piktura ose pjesa e “Portës së Ferrit”, është në antitezë me Parajsën, dhe cilësinë e saj të butësisë së ngjyrës dhe rregullit hyjnor.   Por rrugës për në të dy portat, ka shumë e shumë koka personash të tjerë që Idromeno, i lë të varur në mëdyshjen e tyre të gati fajshme e cila thotë: Në Parajsë apo në Ferr!?
Gjithsesi skenat dhe tabloja teatër e Idromenos, janë edhe madhështia e saj e vërtetë. Një nga skenat që ka tërhequr shumë, dhe tërheq shumë çdo njeri që qëndron përpara pikturës, është skena e mirë detajuar e “ehengxhinjve” shkodranë. Skena është vendosur nga Idromeno në gjysmën e rrugës për në “Ferr”, në një vënd me bar, me një pyll sipër, dhe duke qënë se vetë Idromeno është një “ehengxhi”, ka nxjerrë edhe veten, por ama ka detajuar këtë shtresë të qytetarisë shkodrane.

Janë 16-të “ehengxhinj” rregullisht shkodranë, kryesisht me religjon katolik, dhe dy djaj, ku njëri shkruan se çfarë po ndodh, dhe tjetri po habitet, duke qëndruar midis dy “ehengxhinjve” që e kanë rrethuar vetë djallin, duke qënë akoma më “djall” se vetë djalli. Dikush po pi raki, shumica këndojnë, dikush po therret nga ana e atyre që po vijnë në “Ferr, por dhe Parajsë”, për tu bashkuar me grupin e madh. Një nga modelet më të qarta të kritikës të pastër që Idromeno i bën shoqërisë, është edhe modeli “ehengxhi” që nuk do tja dijë për asgjë, por vetëm për modelin e jetës së  tyre. Prej këtyre ehenxhinjve, kanë dalë si muzika, por edhe barcoletat dhe thashethemet, dhe në tablo duken kur bisedojnë me njëri tjetrin. Veshja e tyre është tipike, dhe qëndrimet po ashtu. Normalisht, ky është vesi qytetar, por poshtë kësaj skene të madhe të veseve të qytetit të Shkodrës është një skenë tjetër e madhe, e mirë detajuar që është ajo e malësorëve, fshatarëve apo katundarëve, që vriten me njëri tjetrin. Kjo është skena e njerzve të dhunshëm, jeta e të cilëve është thika, pushka dhe “trimëria” për të vrarë dhe prerë. Kjo skenë, është vendosur me qëllim poshtë asaj të “ehengxhinjve” si një antipod vesesh qytet - fshat. Tabloja në skenën e vrasjeve, ka 9-të personazhe, ku tetë janë ruralët vrastarë, dhe një djall që duket se edhe ai ka frikë, por edhe entuziasmohet ne delir.....!! Në skenë ka një të vrarë, dhe të gjithë të tjerët të qëlluar nga njëri tjetri.


Të gjithë po vrasin të gjithë, dhe Idromeno, ka dashur të tregojë jetën kriminale të banditëve të “arsyes” së forcës në malësi, dhe zonat rurale të Shkodrës. Skena tregon egërsinë dhe moralin e forcës dhe vrasjes, dhunën dhe mendimin vrasës në atë kohë. Kostumet janë rregullisht malësorësh dhe fshatarësh, të cilët kanë të gjithë armatimin e kohës.
Por ka edhe një skenë  shumë të detajuar dhe me një theks të fortë kritike në pikturën e Idromenos. Skena ka tre rrethana të ndryshme, por që piktori i talentuar, i ka vendosur si në një skenë teatri të vërtetë, si në një pantomimë.

Skena ka dy zotërinj mbi kalë dhe shërbyesin e tyre mbas, por ka edhe dy fshatarë dembelë, që janë shtrirë dhe nuk ju bëhet të lëvizin prej aty. Më vonë vjen skena e vogël, por e mrekullueshme e tre personave “llupsa” ku njëri si qytetar mysliman, po ha dhe është i shëndoshë, shumë i shëndoshë. Kurse afër tij, dy të tjerë  pijnë kaq shumë, sa vjellin dhe njërit prej tyre, një djall, po i jep verë të kuqe si me “përkujdesjen e një djalli vetë”. Por përballë tyre, drejt rrugës për në “Ferr” janë edhe dy gjuetarë sëbashku me qentë e tyre.  Kjo skenë e madhe me këto mizanskena, është një nga idetë tepër përparimtare të Idromenos, i cili tregon shoqërinë e cila kishte dembelë, llupsa, dhe pijanecë, por edhe gjuetarë dhe të pasur që nuk dinin asgjë tjetër të bënin. Idromeno është një nga më gjigandët për një kritikë, por edhe rreptësi moralizuese kundër këtyre paudhësive që shoqëria e atëhershme tregonte ashpër. Po të ngjitesh pak më lart në rrugën e Purgatorit, por drejt Parajsës, është një skenë e një mbreti që lan këmbët e një të varfëri. Normalisht që piktori rilindas shqiptar, por edhe i ndjeshëm ndaj të gjithave veseve të shumta dhe vyrtyteve të munguara në atë shoqëri të një mbrapambetje në raport me Europën, do të reagonte, dhe “Dy Rrugët” ose “Paradise & Hell” shqiptare, është edhe piktura më e arritur e gjinisë në këtë drejtim. Një skenë e bukur është kërkesa e faljes, e një kalorësi ndaj një tjetri, që nga dikush është analizuar si një çast pendimi për të dikurshmen. Por është edhe një takim në rrugën e “Parajsës” së dy njerzve të mirë, xhentëlmenëve.  Por të bën përshtypje se Idromeno ju ka vënë afër një ëngjëll femër, e veshur thjesht, por me flatra të bardhë, këtyre zotërinjve të cilët me sa duket,  nuk mund të shkojnë në “Parajsë” pa sqarimin e plotë të jetës së dikurshme. Ka edhe një skenë të jashtëzakonshme me dy figura, ku njëra është një djall me flatra të errëta, që ka arritur të kthejë nga rruga një fshatar, të kthejë nga rruga drejt Parajsës fshatarin e  shkretë, të lehtë mendërisht, që deri atëhere ka besuar dhe tani hedh kryqin dhe bashkohet me djallin.  Është një skenë kuptimplote, që Idromeno ka dashur me domosdo të tregojë me njerzit e dobët, që nuk qëndrojnë deri në fund....nuk rezistojnë.
Një nga skenat më të rëndësishme masive dhe me shumë personazhe të Idromenos në “Dy Rrugët”, është afër grykës së ferrit dhe trajton një “gjygj”, ku burrat përpara një kryqi dhe dy shandanëve të kuq, betohen, shajnë, mashtrojnë dhe tregojnë dhe librin i cili duhet të jetë “ligji”, por që me sa duket trajtohet keq. Janë në këtë skenë, njerzit dhe morali i tyre i zvetnuar, që edhe me ligjin vepron keq, dhe në mënyrë mashtruese. Idromeno kthehet kështu në moralizuesin e kohës, dhe sistemin e të së vërtetës. Me tablonë e cila duket në masën më të madhe religjonare, në të vërtetë kupton se shoqëria e asaj kohe ka pasur po të njëjtat problematika me të sotmet. Kjo pikturë madhështore dhe pronë e “Muzeut Historik të Shkodrës” është një kryevepër ideshë dhe etnosi, por dhe posaçërisht kostumografie, që mbart gati 200 personazhe. Kjo pikturë tregon politikisht dhe moralisht, fundin e pushtimit turk në Shqipëri, dhe Idromeno, ngrihet mbi kohën, i bën një apel-analizë asaj, por tregon edhe të keqen në përgjithësi, të asaj shoqërie primitive në atë kohë.  Kur shikon këtë pikturë, të shkon mëndja se ke përpara një vepër të madhe të rilindjes së vonë italiane, por ama me kostumografinë e jashtëzakonshme të zonës së madhe të Shkodrës. “Dy Rrugët” është piktura e madhe dhe një trashëgimi e jashtëzakonshme e moralit dhe ideve të kohës, por edhe një nga shfaqet e larta të kostumografisë, të cilin piktori dhe rilindasi shkodran e ka treguar në mënyrë të plotë.

Nessun commento:

Posta un commento