Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

lunedì 15 agosto 2011

Turizmi dhe kerkesat ne vitin 1935

Si organizohej dhe shikohej turizmi, në vitin 1935?

Fillimi i momentit përkujdesës, mbi turizmin në shtetin monarkik shqiptar.

Njohja, dhe tentativa për të rregulluar boshllëkun qytetërues në turizmin shqiptar të viteve të para në shekullin 20-të.



Besi Bekteshi
Specialist “Arkivi i Muzeut Historik të Shkodrës”.

Në një kohë kur turizmi shqiptar, ka marrë përmasa të mëdha, dhe kur ndjesitë si shoqërore dhe shtetërore mbi këtë resurs të jashtëzakonshëm rriten në mënyrë eksponenciale, nuk dihet shumë qartë, se në çfarë raportesh kemi qënë në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit 20-të.
Turizmi i veçantë, dhe me bazë studiues apo edhe përfaqësues të diplomacive të huaja në vëndin tonë, ka që në fillimin e shekullit të 19-të, por përkujdesja dhe strategjitë mbi turizmin shqiptar, vijnë shumë më vonë dhe kryesisht në fundin e qeverimit të monarkisë së Ahmet Zogut në Shqipëri.
Një dokument tepër interesant në formën e një proçes-verbali në prill të 1935-sës, tregon edhe ngritjen e vërtetë të interesit të qeverisë shqiptare, dhe koshiencën e madhe që ishte mbi prapambtjen në këtë drejtim.  Në Shkodër, e cila konsiderohej një nga “depozitat” e mëdha turistike, dhe qytet e krahinë e rilevuar nga të huajt, vjen në zyrën e Prefektit ing Assim Abdurahman, i cili përfaqësonte “Klubin Turistik Automobilistik Mbretëror” si një agjensi e cila kishte përkujdesjen e qeverisë Mbretërore në Shqipëri, për pikërisht turizmin. Nuk ishte vetëm ky moment, sepse kishte edhe të tjera evenimente përparimtare si qe edhe dalja ne qarkullim e Kartes se Turizmit. Kjo i jepte turistit, si te mbrëndshëm ashtu dhe te jashtem  nje perkrahje dhe informacion shume të dobishem. Ishte e shkruar në frengjisht dhe shqip, pikërisht kjo kartë. U krijua edhe nje statistike për hyrje dhe dalje të turisteve. Bie fjala, per vitin 1936, numri i vizitoreve te huaj ishte 3742 veta, numri i diteve te kaluara ne Mbreteri 10559, diviza si kapital qe ka hyre ne Shqipëri nga këta ka qënë 125708 franga ari. U bënë lidhje me shoqata turistike nderkombetare si: Qëndrën Nderkombetare të Turizmit, Unionin Internacional, dhe Organin Zyrtar të Propogandës për Turizëm, Zyra Internacionale e Shkëmbimit, Aleancave Internacionale e Hoteleve dhe Aleanca Internacionale e Turizmit. U shkëmbyen përfaqesi turistike me Parisin, Vienën, Amsterdamin, Londrën, Athinën, Pireun dhe Dubrovnikun. U lidh një linjë e rregullt Shkodër – Dubrovnik. U lidhën marrëveshje me shoqërite e flotave për vizita me linjë detare në portet shqiptare e anasjelltas. U kryen 3 filma dokumentarë mbi vendin tonë. Filluan botime dhe afishe në gjuhe të huaja, e kjo në pothuaj çdo shesh, për të treguar se vendi  kishte hyrë në rrugën e botës së zhvilluar. Një nga të fundit ishte modeli mbi automobilizmin, e pikërisht në ato vite,  u krijua dhe Klubi Turistik dhe Automobilistik Mbreteror.
Çfarë del në proçesverbalin e mbajtur në Shkodër në prillin e vitit 1935-së.
E para është se për pikërisht automobilat vërehej se “nuk ishin të pastër”, “nuk ishin të mbushur plot me benzinë deri në destinacion”, nuk kishin goma rezervë”, “nuk kishin orar udhëtimi” , “nuk kishte çmime bilete të rregullt dhe shoferët nuk tregonin respektin e  duhur”. Kështu që jepej udhëzim, që të merreshin masa të rrepta për të riparuar këto mangësi, dhe sidomos për klientelizmin e shoferëve, që bashkëpunonin me hotelxhinjtë për të devijuar destinacion.
Për hotelet,  detyrohesh ndarja në dy kategori, ajo e para, dhe kategoria tjetër jo kaq e këshillueshme për turistët.  Urdhërohej që wc-të të ishin “alla europiane” dhe pastërtia duhej të ishte primare. Pastaj urdhërohej ndërtimi i dusheve, dhe rezervimi i këtyre dusheve dhe wc-ve për turistët. Ishte një kohë kur akoma nuk kishte dalë orietalizmi ekstrem nga shoqëria shqiptare, dhe normalisht edhe hoteleria ishte pas në këtë drejtim.  Po ashtu lista e çmimeve duhej vulosur nga Bashkia e Shkodrës, dhe ky ishte një hap i madh cilësor, dhe sidomos fiskal i madh përpara, në drejtimin e turizmit. Për restorantet kishte shumë kritika, dhe kryesisht për pastërtinë, dhe po ashtu çmimet tashmë u vunë nën kontrollin fiskal, të detyrueshëm për tu demostruar, dhe kishte gjoba kur abuzohej me to.
U vunë rregulla mbi veshjen e personelit të hoteleve dhe restoranteve. U detyrua veshja e bardhë me krevatë të shkurtër, papion, i cili u trashëgua edhe deri në kohën e sotme.  U vendos me anën e urdhërit dhe proçesverbaleve “pastrimi i qytetit në mënyrë të posaçme në kohën e ardhjes së turistave të huaj. Ky moment eshte një pikë tepër e “kujdeshme” të straregjisë së turizmit, por kishte edhe një pikë që detyronte “izolimin e lypsave dhe të papunëve” në momentet e turistave në të gjithë qëndrat e vizitueshme dhe të qytetit.  Kontrolli i pasaportave kërkohej të ishte rigoroz, dhe i zbatueshëm kurdo dhe kudo.  Gjithsesi urdhërohej të përdorej “shumë takt dhe sjellje e mirë” me turistat dhe vizitorët.  Në fakt, një nga pikat e  rëndësishme të rregullores turistike ishte edhe momenti i “mos daljes së xhendarmëve  me pushkë të gjata” për të mos lënë përshtypjen se “vëndi është në gjëndje të jashtëzakonshme”.  Në pikën G, ishte edhe “Mbrojtja e turistave nga mashtruesit” dhe të gjitha masat për të mbrojtur nga ky fenomen. Urdhërohej që të mirëmbaheshin viset turistike, dhe futeshin kështjellat dhe hanet e vjetra, por edhe urat, kishat e xhamitë, në këtë buxhet të nxjerrë nga shteti. Jepej qartë dhe prerë, këshilla për të organizuar turistat në guida në viset turistike të Shqipërisë dhe në rastin konkret të Shkodrës, dhe kur turistët të ishin të shumtë, duheshin ndarë në grupe të vogla. Do të veprohej në rregullimin e rrugëve dhe urave ku turistët kishin më tepër lëvizje, dhe kudo që mbahej ky proçesverbal, kishte urdhër për riparime dhe mirëmbajtje të thellë dhe të plotë. 
Në fakt detyroheshin prefekturat dhe drejtoritë e arsimit të bashkëpunonin, dhe përfaqësuesit e turizmit duhej të lëshonin faturat e rastit. Patjetër edhe reklama ishte pjesë e marrëveshjeve dhe ajo që rekomandohej ishte parulla “Ti presim turistat si miq”.
Në përgjithësi u vu re në atë kohë, një interes më i madh në hapjen turitike dhe ishte kuptuar se turizmi ishte dhe pjesa kryesore e nxjerrjes së të ardhurave në buxhetin e Bashkive, dhe kryesisht të arkës së shtetit shqiptar. Shkodra ishte një nga pjesët kryesore turistike, dhe marrëveshjet midis pushtetit vëndor dhe agjensive po shtetërore, ishin vendosur mbi baza ligjore. Gjithsesi edhe në vitin 1935-36 dukeshin përpjekje të mëdha në krijimin e atmosferës, dhe kushteve më të mira për turizmin, këtë degë të rëndësishme të ekonomisë së vëndit. 

Nessun commento:

Posta un commento