Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 16 marzo 2012

Perpjekjet per te formuar zyrtarin e shtetit ne vitet 1920-21


Zyrat dhe nëpunësit e shtetit,  nën formimin zyrtar të viteve 1920-21.


Koment-dossier
Besi Bekteshi*

Kanë qënë përpjekje të mëdha, të jashtëzakonshme, në momentin e shtet formimit në vitet e vështira 1920-21 nga qeveria e asaj kohe. Si zyrat e shtetit, ashtu edhe zyrtarët e tyre, kishin si trashëgimitë lindore kryesisht të fundit të perandorisë turke dhe veset e saj, por edhe përdorimin e nëpunësisë si privilegj për “të mira dhe sundim e përdorim vetjak” pa u shqetësuar shumë për pikërisht staturën e shërbëtorit të shtetit. Shikohen përpjekje të jashtëzakonshme të qeverisë, për të përmbledhur nëpunësit, për ti bërë ato të punojnë në standarte të perëndimit. Janë dhjetra qarkore të Kryeministrave të kohës, të Ministrave të Brëndëshëm, të Ministrave të Drejtësisë, të arsimit, të cilët mundoheshin me anën e këtyre qarkoreve, të përmblidhnin në rrugën e ligjit, nëpunësit e mësuar të shkelnin çdo normë të zyrës së shtetit shqiptar. Mungonte etika, mungonte rregulli zyrtar, mungonte burrokracia e duhur, dhe sidomos ajo perendimore në Shqipëri.  Qarkoret janë diçka e mrekullueshme edhe për kohën e sotme, sepse shikohen qartë, se ne vazhdojmë akoma të trashëgojmë mënyrat alarmante dhe pa rendiment, të punës në zyrat e shtetit. Ka veprime të asaj kohe, që janë si dy pika uji me ato të sotmet mbas 91-91 vitesh shtet shqiptar, në rrugë drejt konsolidimit, dhe në rrugë të përkryerjes së nëpunësit shqiptar. Ligjet akoma nuk ishin të krijuara, dhe përdorimi i “Qarkoreve” të bazuara në urdhër organik qeveritar që merrte trajtën e ligjit, bënin edhe punën kryesore të qortimit dhe vendosjes së nëpunësit dhe zyrës së shtetit, në standart normal dhe të afërt me shtetet e zhvilluara të Europës.
Në një qarkore të 27/6/1920, nr 2953, Ministri i Brëndëshëm A. Zogolli sqaron se “letra e institucioneve janë tue u çel rrugës” dhe pastaj urdhëron se “asnji zyrë nuk ka  kopetencë me çilë letrën që nuk i asht drejtue asaj zyre”. Por në fund mbyllet se “kushdo që do të guxojë me çilë aktet zyrtare qi nuk i janë drejtue vehtes së tij, ka me u marrë në gjygj si shfaqësi i të fshehunave qeveritare”. Pikërisht kishte shumë të dhëna, se hapeshin letrat për të deniguar individët njëri tjetrin, për të dalë edhe informacionet jashtë, dhe për tu bërë diversion pikërisht me këtë dijeni të përmbajtjeve.  Pastaj sërish Ministri i Brëndëshëm me 25/6/20, jep urdhër që zyrtarët  të mos jenë qëndra e mitingjeve, dhe të mos merren me këtë punë. Por është e  bukur se thuhet edhe se: Edhe kur bahet nji demostracion para qeverisë, prefektët e nënprefektët, kanë me ju përgjegjë në nji mënyrë fort të matur dhe të shkurtë! Fillimi i një lloj demokracie në demostrim, por gjithmonë duke mos marrë zyrtarët rolin e individit që ka pushtet të vetin në saj të detyrës, dhe mund ta përdorë atë gjatë, dhe pa u matur se çfarë thotë.
Me datën 13/3/1920 Ministri i Brëndëshëm A. Zogolli, i bën të ditur Prefekturës së Shkodrës se “është ngritur nji komision i cili ka me kontrollu të gjitha zyrat qeveritare të Shkodrës”. Pastaj ai ju kërkonte “ që të gjithë ti nënshtrohen këtij kontrolli, tue diftue arkat, aktet, etj”  Biles vazhdonte se “ duheshin dhanë lehtsinat e nevojshme” dhe normalisht në këtë rast vihet re se shteti po fillonte të kontrollonte veten nga abuzimet. Në një dokument tjetër të vjetër të datës 20/3/1920, sërish Ministri i Brëndëshëm kërkon të “largohen kafexhinjtë nga zyrat e shtetit” dhe ka shumë dokumenta që vërtetojnë këtë problem në zyrat e shtetit shqiptar. Por në vitin 1921 dhe pikërisht në datën 13/3/1921, tashmë Ministri i Brëndëshëm Mehdi Frashëri, nxjerr një qarkore ku evideneton se “nëpunësit kërkojnë pagat avancë” dhe kjo është bërë një sëmundje e cila po dëmton arkën e shtetit. Për këtë arsye, jepen urdhëra që “avanca” të jepej në rast të arsyes së fortë dhe mirë detajuar, dhe jo pa arsye dhe kot fare. Kishte filluar të kërkoheshin pagat si pas qejfit, dhe zyrat po lejonin abuzimin mbi rrogën e shtetit, e në këtë mënyrë shteti po përpiqej të stabilizonte fenomenin e trashëguar nga e kaluara gati mesjetare. Sërish Ministri i Brëndëshëm. Mehdi Frashëri në një qarkore drejtuar prefektuarave  në datën 5/2/1921, bënte me dije se “nëpunësit  e shtetit kur bëjnë ndonjë udhëtim, refuzojnë kontrollin e çantave në doganë”. Në këtë mënyrë jepet urdhër dhe nxirret ligj, që pikërisht nëpunësit të tregojnë të parët çantat e tyre. Në datën 26/2/1921, Ministri i Brëndëshëm i saj kohe Mehdi Frashëri, ngre shqetësimin se “zyrat kthehen në kafene” dhe kjo mbasi është nxjerr urdhëresa për të pasur kafe jashtë zyrës, por kjo qarkore nuk po zbatohej. Në këtë mënyrë, urdhërohet ndalimi rreptësisht i pirjes së kafes në zyrë dhe shërbimit të saj në zyrat e shtetit, por vetëm në kafenetë përkatëse. Kishte filluar që të dëmtonte punën dhe imazhin e shtetit, zyra-kafe e zyrtarëve të shtetit, dhe në këtë mënyrë qarkoret ishin tepër të ashpra.
Ka një tjetër qarkore të Ministrit të Brëndëshëm A. Zogu, ku vërtetohet se “kontrolli ka vërtetuar se shumë nëpunësa nuk janë gjendur në vëndin e punës” në këtë mënyrë është bërë ligj, prerja e një të katërtës së pagës, dhe qarkorja është e  18/11/1920 . Por është kërkuar edhe relacion për oraret e punës dhe zbatimit të këtij orari nga nëpunësit.
Në Shkodër kishin bërë zakon mos zbatimin e orarit zyrtar, dhe sidomos në kohë të verës ku ishte e domosdoshme dalja edhe mbas dite. Në këtë rast, “Guvernatori i Shkodrës Ahmed Zogolli dhe Ministër i Brëndëshëm” detyron orarin e caktuar para dite dhe mbas dite,  dhe prerjen e rrogës të atyre që nuk e zbatojnë atë. Qarkorja është e datës 1/8/1921, dhe është fillimi i zbatimit të kohës së ndarë për nëpunësit shqiptar, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar.
Po ashtu është një urdhër i Kryemnistrit Iljaz Vrioni i datës 22/8/1921,  ku verehet se “korrespondencat zyrtare janë të gjata dhe të kota” prandaj kërkohet rëndësia e korrespondecës telegrafiken për të mos krijuar vonesa të kota sidomos të atyre me rëndësi.
Një nga qarkoret më të qarta për nga problematika është ajo e Kryeministrit Vrioni e datës 23/1/1921 ku tregohet se “veprimet zyrtare të rrjedhuna (dalje jashtë) nëpër zyra dhe vendimet e punët e pa kryeme, përpara se të marrin përfundimet e duhuna ndëgjohen përjashta”! Pothuaj si tani në Shqipëri....prandaj lajmërohen zyrtarët, vazhdon qarkorja, të mos kenë sjellje jashtë “nomit dhe rregullit zyrtar”. Me rastin e përsëritjes do të largohen nga puna dhe dënohen rreptësisht...përfundon urdhëri i Kryeministrit Vrioni.
Ka plot e plot qarkore të tjera, ku bëhet fjalë për përpjekjet e adminitratës së lartë, dhe njerzve të lartë të saj, për të krijuar bindjen e rolit të zyrtarit të shtetit,  dhe normalisht shikohet edhe vështirësia e madhe që kishin. Por shikohet edhe diçka tjetër, sepse kanë kaluar mbi 90-të vite dhe në shumë gjëra, aspekte dhe mentalitete,  jemi sot sërish në ato problematika dhe kjo do të tregojë diçka po kaq të rëndësishme që është “vështirësia e madhe e sjelljes në standarte së shqiptarëve, me zyrat e shtetit dhe ligjin në përgjithësi”.

*Përgjegjësi i Arkivit të Muzeut Historik Shkodër
besibekteshi-info.blogspot.com


Nessun commento:

Posta un commento