Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 25 ottobre 2013

Trashëgimia british pa respekt në Shkodër.

“Sahati Inglizit”, i vetmi ndërtim british në Shqipëri, jashtë vëmendjes që i takon!



                                                                                 Nga Besi BEKTESHI
 Një nga momentet e përveçme, tepër të rëndësishme për nga trashëgimia kulturore në Shqipëri, është dhe “Villa Paget” ose “Sahati Inglizit” sikundër njihet në Shkodër. Është tepër i përveçëm, sepse është i vetmi ndërtim në pjesë të mëdha british, dhe që për fat të keq, jo vetëm ju shkatërruan gjatë vitit të keq për të që është vitit 1946 dhe për të cilin unë po nxjerr dhe fotot origjinale të rrënimit të “torreve” të vetmet british si një shato perëndimore në Shqipëri, por dhe lënia pas dore sot. Është e vetmja kulturë midis orientit dhe perëndimit british në Shkodër, e ndërtuar në formën e një shatoje nga një njeri që sipas studiuesit Hamdi Bushati është konsideruar lordi Paget. Në fakt me këtë person është marrë dhe zoti Traboini dhe të tjerë, por unë kam sqaruar prej kohësh se djali i tretë i Alfred Paget, si par dhe lord i Britanisë së Madhe, ose majori Paget, nuk ka qenë si person për të përhapur vetëm protestantizmin dhe për të marrë ikona dhe kostumograf, apo dhe nomuzmatikë në Shqipëri, por kryesisht në shërbim të shtetit të tij dhe shqiptaromadhit Herbert, por dhe mik i miss Durham. Ai në fakt, ishte një njohës i mirë i situatës ballkanike (gjuhëve) dhe sidomos shqiptare, dhe një njohës duke qenë në shërbim të Portës së Lartë për shumë kohë si një orientalist i thekur dhe si një major kavalerie i jashtëzakonshëm. Unë kam nxjerrë për herë të parë foton e tij i veshur si qytetar shkodran, dhe i armatosur po kështu, e tani edhe fotot e prishjes së vitit 1946 të torreve të shtëpisë-ville të tij, të ndërtuar në qendër të Shkodrës.
Tashmë në fakt, ose mbas viteve 1990-të, kur Muzeu Historik u largua nga ky monument kulture i cili ju kthye pronarëve, rrezikon shumë, kaq shumën sa që degradoi dhe ndërtimet e kërcënojnë seriozisht zhdukjen e tij. Kanë kaluar shumë, ose shumë mbi një shekull kur filloi ndërtimi i kësaj ndërtese. Vendi sipas Bushatit, ka qenë vend për të gjuajtur rosa. Në disa kujtime të tij dhe guvernatori Philips bën disa krahasime dhe histori me të dikurshmen e vitit 1913. Një pjesë e madhe pas saj, ka qenë pronë e Abdullah Domnorit, por që qeveria turke e shpronësoi dhe e mbajti si një copë dispozicioni, për benefice të ndryshme. Valiu i Shkodrës, një pjesë e dha te një fis nga Mali i Zi, me histori interesante vrasjesh dhe komitësh, dhe një pjesë e shiti sidomos pjesën përpara pikërisht majorit Paget. Në fakt, sipas Bushatit, por dhe sipas historisë, kryesisht të marrëdhënieve midis Shkodrës dhe Malit të Zi, qeveria turke i fali një pjesë të shtëpisë Bozho Kadiqit, sepse vëllai i tij Todor Kadiq, dikur ka vrarë knjaz Danilo Petroviqin në Kotor, si ndodhi e vitit të largët 1860. Bozho la si trashëgimtar sipas Bushatit, Togon dhe vëllezërit, dhe pastaj ky ja shiti shtëpinë Jakup Dervishoviqit.
Me të hyrë pushteti popullor e shtetëzoi atë. Kur e bleu majori Paget shtëpinë e famshme e cila “rrëmbeu edhe zemrën e Enver Hoxhës më vonë me sahatin e bukur”, ndërtoi dhe shatonë british me torret dhe sahatin e bukur. Ai kishte zgjeruar territorin dhe si oborr apo sipërfaqe që kalonte dhe ish MAPO-n e dikurshme në qendër të Shkodrës. Paget ja ka shitur këtë kryevepër british në vitin 1930, një firme tregtare si “Vllazën - Salih Mehmeti” sipas Bushatit për shifrën për 3600 napolona ari. Në të vërtetë ka shumë dyshime kjo shifër, por do të mundohem ta sqaroj në një moment tjetër të historisë së majorit Paget. Pra dy shtëpitë, dhe sipërfaqen si interland të tyre në qendër të Shkodrës, Paget i shiti. Ishin 16 dhoma aristokratike të mëdha, dhe më e madhja ishte ndërtuar me stil oriental, tavane të punuara po kështu që dikur “mahniteshin” të huajt dhe që sot janë, por nuk ekspozohen për këtë qëllim. Kur deshën të hapnin rrugën e gjerë që sot të çon drejt teatrit Migjeni, torret dhe dyert e “shatosë” janë prishur me një gëzim të madh nga komunistët, edhe pse në fakt po prishej e vetmja kulturë british në Shqipëri. U rrëzuan pjesë ku kishin qenë konsullata të Britanisë dhe ku kishin qëndruar guvernatorët e parë të Shkodrës si admirali Burney dhe guvernatori Philips në vitin e famshëm 1913, kur vendoseshin fatet e Shqipërisë dhe territorit të saj që ka sot.
Pikërisht në këtë shtëpi, janë marrë vendimet e mëdha të territoreve shqiptare (në saj të lobingut në Londër, të njerëzve të mirë ditur që kanë banuar pikërisht këtu) si për mirë dhe për keq, por kanë shkuar dhe informacionet e rëndësishme në Europë. Në këtë shtëpi kanë ndenjur njerëzit më të lartë dhe konsujt më të rëndësishëm të Shqipërisë së atëhershme. Por dhe janë bërë dhe takimet më të rëndësishme të grupeve dhe bajraktarëve, liderëve shqiptarë, personave më influentë të shqiptarëve të veriut. Në fakt, këtë pjesë të historisë nuk kanë dashur ta pranojnë në diktaturë, por shtëpinë e shtetëzuar e ruajtën. I morën sahatin me urdhërin e Enver Hoxhës, dhe e çuan në Gjirokastër, por vetëm kaq, kurse sot ajo po përjeton një rrezik të madh për degradim të madh, duke qenë një pasuri e përveçme në Shqipëri. Lejet e ndërtimit i kanë shkuar kaq afër, sa po e sfidojnë seriozisht dhe për një diçka akoma më të madhe më vonë.
Sahati Inglizit ose villa Paget ka pasur dyer të jashtëzakonshme dhe origjinale të punuar nga mjeshtra shqiptarë dhe normalisht si veçori dhe histori, ka qenë një model i pa krahasueshëm në Shqipëri. Ka pasur mure dhe puse, por dhe artefakte të shumta kjo vilë. Sa ka qenë muze, ka lënë pa mend të gjithë ata që e kanë vizituar. Askush nuk mund të mohojë pronën, por gjithashtu askush nuk mund të mohojë historinë dhe trashëgiminë e tillë të fuqishme që paraqet Vila Paget, që është një nga lobuesët e pavarësisë së Shqipërisë (si trashëgimi historike e njerëzve banorë të saj) dhe me relacionet më të mira për Shkodrën, dhe futjen e saj në territorin shqiptar edhe me anën e pronarit të saj major George Paget, që protestantizmin e kishte pothuaj një “mbulesë” në raport me veprimtarinë e tij, si një raportues i rëndësishëm i situatës në rajon. Këshilli Bashkiak i Shkodrës me mirëdashje, ka bërë “Qytetarë Nderi” sir Burneyn dhe gjeneral Philips, si oficerët british që ndihmuan Shkodrën dhe Shqipërinë, kurse në Tiranë majori Paget ka marrë nderimet e tij.
Problemi është pikërisht “trashëgimia kulturore”, dhe statusi që ka pjesa e mbetur e Sahatit të Inglizit, ose banesës së modelit british, të ndërtuar nga një person i fisëm dhe me gjak aristokratik, si i biri i lordit të famshëm së gjeneralit Alfred Paget. Një ndërtim i tillë, nuk mund të shkojë dëm, edhe në bazë të lejimit të deformimit në kohë të modelit shumë të kollajtë të përdorimit të pronës, dhe të mos vëmendjes së shtetit ndaj trashëgimisë kulturore të tij.
Në fund të fundit, “Sahati Inglizit” ose villa Paget, janë monument kulture në Shkodër, dhe është e përveçme për nga tipizimi në rajon dhe më gjerë. Sahati Inglizit, është dhe në vend të mirë dhe të bukur, dhe në fakt, fjalët për të më të bukura janë ato të çmimit Oskar, si një britanik i madh që e ka vizituar në vitin 1966, kur ishte Muzeu i Qytetit. Ishte pikërisht Peter Ustinov, i cili përshkruan (ka qenë dhe një agjent i SOE) Sahatin e Inglizit si të vetmen gjë perëndimore, për të cilën habitem” në vizitën e tij të shkurtër në Shkodër dhe Shqipëri. E shembën me një zell të madh në vitin 1946, e varfëruan kur u largua si muze, dhe tani nuk respektohet si një trashëgimi kulturore dhe monument kulture. Biles diku diku, ka qenë dëgjuar dhe një e “thënë” se mund dhe ta largojnë si diçka të tillë, për ti hapur rrugën transformimit rrënjësor dhe në dëm të historisë dhe trashëgimisë në Shkodër. Rezistenca ka qenë dhe ndër pronarët, por deri kur, deri në fakt kur, do të vazhdojë kjo mënyrë e të sajuarit të lejeve dhe të ndërtimeve mbi trashëgimi ose afër, fare afër tyre, për ti përjashtuar apo dëmtuar pak më vonë. Normalisht tani duhet më respekt dhe për Sahatin e Inglizit ose vilën Paget.


Nessun commento:

Posta un commento