Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

venerdì 27 dicembre 2013

Mark Kaftalli, ose tradita më e mirë e trashëgimisë muzikore shkodrane.



Koment-dossier

Besi Bekteshi

Nuk ka shumë ditë që violinisti, kompozitori, dhe drejtuesi i orkestrës Mark Kaftalli, mbushi 80-të vjeç. Ju festua me një koncert në teatrin “Migjeni” në Shkodër ky përvjetor, dhe Marku ishte aty vërtetë më i plakur, por që në sytë e mi ishte vazhdimisht ai Mark Kaftalli virtuoz, me violinë në dorë, duke drejtuar grupet orkestrale nga më të mirat që trevat shqiptare kanë prodhuar. I veshur mirë dhe me shije në rini të tij, gjithmonë ekzigjent dhe kërkues, virtuoz në lojën e tij në violinë ishte padyshim një shkodran fund e krye i talentuar. Shumë të vjetër në moshë, por dhe mbi 50-të vjeçarë si unë, e kujtojnë dhe në drejtim të shfaqeve muzikore në teatrin “Migjeni”, por dhe në dikur “Turizmin e Vjetër” dhe “Kafen e Madhe”, me muzikën e mrekullueshme të luajtur sëbashku me virtuozë të tjerë shkodranë. Po, në dy nga skenat e lira popullore që sot nuk janë më në Shkodër, dhe këtë e them me keqardhje të madhe. Përpara disa ditësh, lexova një shkrim të shkëlqyer nga Ramazan Çeka si mik i Markut, dhe ish drejtor i shkollës “Prenk Jakova” në Kosovë, e më erdhi shumë mirë, por gjithashtu shumë keq që nga vëndi i tij nuk kishte lartësi të tilla kujtimore dhe të kërkimit qoftë dhe historik, për një nga figurat më të mëdha të kompozimit dhe drejtimit artistik që është autori i 750 veprave si këngë qytetare popullore dhe të kultivuara por dhe lirike, operetave dhe pjesë më të mëdha muzikore, fitues i shumë çmimeve dhe  për mbi të gjithave krijues i perlave të mëdha ndër të cilat kryevepra “Lule t’bukra sjell pranvera” por dhe në muzikën e lehtë si “Lumturia nuk dhurohet”. Në vitin 2004-tër si Mark Kaftallin dhe Bik Ndojën, i kam pasur në intervistë në një emision televiziv dhe kujtimet e atyre viteve më përpara kur ishin gjithsesi më të rinj, mu kthyen qartas. E di shumë mirë Markun si qejfli të motorçikletës dhe normalisht të veshjes me pantallona të hapura si ngjyrë ose kustum po ashtu të hapur. Duke njohur si djalin e tij Antonin dhe të bijën Verën, të dy artista dhe pedagogë në violinë dhe piano, duke njohur dhe dhëndrin Zef Çuni,  dijenitë bëhen akoma më të mëdha. Në fakt, si Marku dhe Kola i vëllai në teatër, janë përfaqësimi dikur i familjes së talentuar në skenat e mëdha. Anton Kaftalli, sot ka një grup muzikantësh të talentuar dhe që si shoqëri kanë emrin e Markut, por edhe në intervistë me Antonin përpara disa kohësh, figura e madhe e babait normalisht ka lënë shenjë në ecurinë në jetë, të fëmijëve të tij të mirë dhe me trashëgimi të talentit. Kaftalli kalon sëtepërmi kufinjtë e Shkodrës në krijimtarinë e tij.  Miqtë e quajnë “Paganini shqiptar” dhe unë jam dakort, por ai është trashëgimia më e lartë muzikore tradicionale qytetare shkodrane. Mark Kaftalli është ai, që ka mbajtur gjallë dhe zhvilluar më shumë se askush muzikën e mirë kultivuar lirike shkodrane. Tingujt e kësaj muzike dhe notat janë absolutisht të personifikuara dhe të qarta si shkodrane. Nuk ka më “improntë” apo shenjë e qartë personale, se sa muzika e Kaftallit për qytetin e madh kulturor, por dhe lavdinë e tij në gjysmën e dytë të shekullit 20-të. Akoma nuk e kanë nderuar me atë që meriton Kaftallin!? Nuk e di se çfarë mund të bënte një njeri më shumë se sa këto që po përmënd më poshtë por...!?. Pikërisht atë burrin tashmë tetëdhjetë vjeçar, me shikimin e ngulitur në një pikë në drejtim të skenës së teatrit, ku i biri dhe orkestra, por dhe këngëtarë dhe instrumentistët po performonin, unë po e kuptoja. Ishte jeta e tij e gjatë dhe e mbushur me ngjarje dhe vepraë që po i kalonte në një farë mënyre në pak minuta, por që nuk mund të shprehte aspak të gjithën. Kur Bujari dhe Enriketa po këndonin “oh sa andra sa kujtime, ka prej teje zemra ime” unë po shtangesha në bukurinë e jashtëzakonshme të melodisë Kaftalliane, kurse autori tashmë tetëdhjetëvjeçar shikonte skenën ku për dekada të gjata kishte luajtur. Mark Kaftalli është drejtues i orkestrës së Estradës Profesioniste për tre dekada që me krijimin e saj në vitin 1958-të. Është kompozitori i më shumë se 750-të këngëve të muzikës së lehtë, asaj popullore qytetare dhe këngës për fëmijë. Mësues violine në shkollën “Prenk Jakova” në fillimet e saj. Kompozitor i muzikës skenike me “Bubaçat”, “Dritë kudo Dritë”, “Ditë të gëzuara” të treja opereta. Pastaj ai ka bërë dhe “Çështje familjare” si komedi muzikore dhe po ashtu dhe “Dasma jonë”. Normalisht ka shkruar dhe veprat  opereta për fëmijë si “Rozafa” dhe “Shtatë Kotelet” të gjithë këto vepra nga viti 1964 deri në vitin 1980-të. Mark Kaftalli ka qëndruar 32 vite si drejtues i formacionit të “Kafes së Madhe”, por e përsëris të një humbje kulturore kjo e fundit në Shkodër për turp të madh, të trashëgimisë nga të gjitha anët po ta shikosh. Ai është që bëri me nota, pjesën më të madhe të këngëve të ahengut shkodran, por dhe këngët lirike shkodrane. Do të ishin humbur si riprodhim vetëm “gojë me gojë” të tilla perla dhe Marku i ka përjetësuar.  Ai është pjesmarrës në festivale të ndryshëm dhe disa herë fitues në festivalin e  muzikës së lehtë të Tiranës. Është shkodrane e gjitha te “Lumturia nuk dhurohet” e kënduar nga Tonin Tërshana.  Mark Kaftalli është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” të klasi të dytë dhe të parë. Nga Bashkia e Shkodrës, është nderuar në vitin 2005-së me titullin “Mirënjohja e Qytetit” dhe po ashtu në vitin 2012-të me “Diplomën e Pavarësisë”. Padyshim dhe sot, ai vazhdon të punojë dhe është një person tepër i interesuar për muzikën. Kaftalli në fillimet e tij ka punuar me Zef Alimëhillin dhe padyshim një nxitje e madhe për të ka qënë Ansambli i Ushtrisë në Tiranë me mjeshtrin Nikolla Zoraqi, i cili e perfeksionoi si violinist. Por nga viti 1955 dhe deri në vitin 1969-të, ka qënë mjeshtri tjetër i madh Prenk Jakova si njeriu i artit të madh shumë pranë Kaftallit. Ka shkuar me ansamblet kudo në botë, por dy njerzit e këngës qytetare popullore shkodrane janë edhe individët më pranë tij artistikisht, dhe këto janë mjeshtrat Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi. Në fakt, disku i fundit i Kaftallit, është një mrekulli intepretative e mbledhur nga Anton Kaftalli, që të bën të nderosh me përkulje të madhe si Mark Kaftallin, por dhe Bikun e Shyqin. Të tre bashkë, bëjnë të pa përsëritshmen në Shkodër, si për nga talenti, nga miqësia, nga qytetaria, dhe nga virtuoziteti me të cilën kanë punuar dhe jetuar. Nuk mund të ketë “mosketier më të lartë në muzikën shqiptare” të cilët të kanë jetuar kaq gjatë pranë njeri tjetrit.
Lëvizjet trupore dhe drejtuese të Markut në violinën e jashtëzakonshme, por dhe interpretimet e jares madhështore të Bikut, përbëjnë një duet kaq të madh, sa është shumë e vështirë të përsëritet me po atë forcë dhe talent si dikur. Po ashtu dhe modeli i këngës popullore qytetare shkodrane e kënduar nga Shyqi dhe gjithmonë shoqëruar në violinë nga Marku, nuk mund të cilësohen më si në rritje për nga forca e intepretimit dhe besnikërisë muzikore të këngës shkodrane. Ato janë një lartësi që nuk mund të arrihet. Kaftalli, ka pasur shumë bashkëpunëtore dhe unë nuk mund ti përmënd do të gjithë, por janë vërtetë shumë, dhe krejtësisht të talentuar.
Markun sot e pëshëndesin kudo. Është emblemë e artit të madh shkodran, është një nga violinistët më të mirë, dhe kompozitorët më të ëmbël të muzikës qytetare dhe sidomos asaj që unë preferoj ta quaj lirike. Ai është trashëgimia më e mirë e muzikës dhe këngës qytetare shkodrane. Është trashëgimia më e mirë e gjysmës së dytë të shekullit njezet, dhe sot mbase me të birin Anton Kaftalli dhe drejtues të tjerë si Ilir Zogaj e Roland Guli, qyteti do të vazhdojë në këtë trashëgimi. Mark Kaftalli, është në këtë tetëdhjetë vjetor, njeriu i madh i muzikës dhe i nderuar nga publiku i gjërë jo vetëm i qytetit të Shkodrës. Ai është tepër i dashur dhe në Shqipëri, sepse ka ndërtuar figurën e madhe të muzikës shkodrane, por dhe në Kosovë e kudo, që ka shqiptarë. Ai është një nga figurat më të mëdha të muzikës së kultivuar popullore shqiptare. Kur dëgjohet një këngë shkodrane e kultivuar dhe mirë interpetuar, është vështirë që mbas saj të mos jetë Mark Kaftalli në mos si kompozitor, si krijues notash dhe orkestrues, por dhe drejtues muzikor në kohët moderne. Nuk mundesha mos me e mbyll shkrimin me vargje kënge të mjeshtrit Kaftalli dhe normalisht me një këngë ku si muzika dhe teksti janë të tij. Ajo titullohet “Bashkë me ty” dhe i kushtohet “dashnisë” por fillon me dedikimin ndaj këngës kështu: Këng’ o kënga ime. N’tinguj t’ri do t’fluturoj, sot me ty. Për jetën, dashurinë.....Un do k’ndoj!! Gjithmonë pikërisht ky është dhe vazhdon të jetë Mark Kaftalli.



Nessun commento:

Posta un commento