Shkodra

Shkodra
Shkodra Town

lunedì 7 aprile 2014



Kisha e Vaut të Dejës, ose simboli i shkatërrimit të Monumenteve të Kulturës.


Koment
Besi Bekteshi

Në daljen e tretë për rilevim të kishave të traditës romane, dhe padyshim të një modeli të jashtëzakonshëm si trashëgimi në DRKK-së në Shkodër, ishte dhe rrënoja e kishës së famshme të Vaut të Dejës. Mbas Mazrekut dhe Shirqit,  si dy modele që në kohën e benediktinëve, i erdhi rradha dhe rrënojave të kishës së Danjës, apo asaj të njohur si kisha e Lek Zaharisë. Jo lart në kala, por poshtë, buzë Drinit në fshat. Në qoftëse ajo e Shirqit ka problemet e rrënimit nga abandonimi dhe Buna, apo Mazreku nga abandonimi dhe vazhdimi në mos kujdesje, kjo e Vaut të Dejës, ka histori të trishtueshme nga dinamiti. Jo, nuk është koha e viteve mbas 1990-tës dhe sidomos sot, është koha e viteve 1967-70-të, kur ishte vendosur që “armiqësia më e madhe të ishte ndaj zotit dhe institucioneve të saj”. Një nga kishat më legjendare dhe me histori të jashtëzakonshme e cila është hedhur në erë me dinamitin e H/C të Vaut të Dejës, është momenti absurd i shkatërrimit jo vetëm të një objekti kulti, por një momumenti të shpallur të ruajtur nga shteti dhe vëndin ku është kryer riti celebrues i Kastriotit!  Sekretarët e partisë të asaj kohe,  japin urdhër, dhe kisha me anën e teknikëve dhe ingjinierëve hidhet në erë. U hap një akuzë  në prokurori e ngritur me guxim nga Gani Strazimiri ose drejtori i Momumenteve të Kulturës atëhere, por u mbyll. Po, u hodh në erë kisha e vjetër e “Shën Marisë” dhe që kishte dhe pllakën që e shpallte “Monument Kulture”. Atëhere thuhej se kishte themele të vjetra të shekullit të tretë, por kishin vërtetuar në atë kohë që ishte mbi gurë të vënë qartësisht në shekujt 6-7-të. Sot dihet qartë se edhe ajo është paleokristiane dhe normalisht ke “dhjetëmijëlekëshi i ri i joni është e stampuar pikërisht ajo”. Janë disa foto të vjetra të saj, dhe duke qënë si seli Ipeshvore ishte shumë e  dashur për të gjithë besimtarët dhe nga Barleti dimë qartë se aty Gjergj Kastrioti ka pranuar Sakramentin e Martesës. Nga disa shkrime dalin të dhëna të qarta dhe në njërin thuhet: Monumenti në fakt ishte shkatërruar rreth datës 30 maj 1969, sipas proces-verbalit të mbajtur pak ditë më vonë nga Miltjadh Papa, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Agim Kodraliu, inspektor i arsimit dhe kulturës i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër. Në procesverbal shkruhej:“Rreth datës 30.05.1969 kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në portën e së cilës ishte vendosur tabela e monumenteve të kulturës, u hodh në erë me dinamit.
Përse u shkatrrue ky monument i vetëm në Shqipni! Por më 15.08.1969, Prokuroria e Shkodrës e mbyll çështjen.
Nuk është rasti i vetëm për sa i përket prishjeve dhe denoncimeve dhe unë mund të vazhdoj të citoj shkrimet që nxjerrin në dritë faktet dhe në njërin thuhet: Strazimiri rreshton edhe precedentët e tjerë në rrethin e Shkodrës e gjetkë, të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. “Shkatërrimi i kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës është rasti i gjashtë i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës. Para disa vjetëve janë hedhur në erë dy monumente të rëndësishme, bezisteni dhe hamami në breg të Bunës, dëmtuar monumenti i kulturës, pronë e Musa Dulja etj. Shkatërrimi i bezistenit dhe hamamit, u bënë me paramendim natën, me qëllim që të viheshin para faktit të kryer. Edhe këto raste i kemi denoncuar në Prokurorinë e rrethit të Shkodrës, por çështjet u pushuan.

Po, në Shkodër, janë prishur në atë kohë disa monumente kulture me aprovimin e pikërisht instituciove përkatëse. Bexhisteni dhe i gjithë pazari i Shkodrës, është një nga humbjet kolosale kulturore dhe e fundit është Xhamia e Parrucës. Aleksandër Meksi, ose njeriu që ka qënë dhe ka përjetuar mirë situatën e viteve 1967-70-të thotë në një intervistë kështu: Duhet të ketë qenë viti 1971, kur Gani Strazimiri, drejtori, i prezantoi Enver Hoxhës rreth 100 diapozitivë të monumenteve të kulturës në gjithë Shqipërinë. Kur mbërriti te rrënojat e Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, drejtori i tha se ajo tashmë ishte kthyer në gërmadha dhe duket përmendi edhe emrat e autorëve. Duhet të ketë përmendur emrat e autorëve, sepse këtë e nxjerr logjika, pasi përgjigja e Enver Hoxhës ishte: “Sa keq që këtë dëmtim e kanë bërë njerëzit tanë”. Pra Enveri e dinte se cilët e bënë dhe këtë do ja ketë thënë drejtori Strazimiri, që pas takimit ua rrëfeu të gjithëve. Pra kur vetë kreu absolut i shtetit mori në mbrojtje shkatërruesit, kjo do të thotë se vlera e trashëgimisë kulturore shqiptare ishte në një tjetër plan, vënë përballë luftës kundër fesë.
Gjithsesi mbetet që kjo kishë u hodh në erë dhe është shëmbulli më tipik i absurdit ekstrem të shkatërrimit të monumenteve të kulturës. Kisha e shekullit XIII e përcaktuar mirë dhe e arkitekturës romano-gotike ka rrënojat e saj të vogla të cilat i fotografova dhe që kanë mbetur nga shkatërrimi, nga marrja për digën dhe ndoshta ndonjë banesë, dhe besohet se aty duhet të ketë qënë dhe varri i princit të Danjës Lek Zaharisë. Mbytet nga Drini herë herë, por alteri i vogël është aty.

Çfarë ndyshon sot?
Sot ka ndryshuar motivi i shkatërrimit. Në fund të fundit, pjesa e madhe e monumenteve të kulturës në diktaturë u ruajt. I mirëmbajtën dhe shkatërrimi i kishave ndër të cilat ajo e Lek Zaharisë, është ndoshta humbja më e madhe dhe vinte si pasojë e idiotizmit kriminal diktatorial kundra religjonit se sa kundra kulturës. Sot në fakt, është makabriteti “kapitalist”.  Sa e sa monumente kulture si shtëpi janë shëmbur për të ndërtuar monstra betoni. Vetëm në Shkodër janë mbi 10-të syresh dhe sa e sa në Shqipëri, janë lënë të degradojnë dhe pastaj të shëmben për të ndërtuar betone të lartë mbi 10-të kate! Sa zona të ruajtuara ose të ashtuqajtura të mbrojtura janë dëmtuar rëndë? Mbi rrënoja dhe site arkeologjike 2500 vjeçarë janë hedhur beton. Me shtesa absurde dhe leje të gabuara? Në qoftëse në diktaturë ishte një idiot që jepte urdhur për dinamit, deri sot ka pasur maskarenj që rrënonin dhe pastaj paguanin për të marrë leje të këqia. Sa vënde arkeologjike janë vënë nën betone jo vetëm në Shkodër dhe Durrës, por dhe Lezhë dhe kudo në Shqipëri?! Janë dhënë leje dhe ka qënë vetëm IMK-ja dikur, që ka transformuar statusin e Monumentit të Kulturës për shumë syresh, për të hapur rrugën e ndërtimeve absurde. Kanë bërë më tepër krime nga 90-të deri sot, shumë më tepër se sa në kohën e Enverit. Disa prej këtyre krimeve janë bërë dhe me letra të firmosura. Unë uroj që sot kjo gjë që ka ndryshuar të përfundojë dhe të fitojë liria e të qënit një shtet i qytetëruar. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës janë shumë ndryshe, por dhe me ide tepër të mira se sa dje.
Kisha e Vaut të Dejës është simboli i prishjes së një Monumeti Kulture. Ajo në fakt, do një projekt të mirë studiuar, dhe duhet bërë një simbol i tillë. Pikërisht ajo kishë, që është në dhjetëmijëlekësh, duhet të ketë ditën e saj, për të bërë dhe sensibilizimin, kurdo që një monument ose trashëgimi e tillë rrënohet, transformohet apo dëmtohet.
Ajo është simboli, dhe ky simbol duhet ngritur në një trajtë të mundëshme që lejon dhe ligji. Ka bazamentin e saj, ka artefakte të ruajtura të mureve të vjetër, dhe ka dhe mundësinë e sotme të dëshirës së mirë në Ministrinë e Kulturës. Do të ishte vërtetë një mrekulli, në qoftëse në këto bazamente ngrihet një tempull i cili tregon jo vetëm se kush ka qënë atje, por dhe si është historia, dhe për më tepër se është dhe “simboli i trajtimit të egër dhe pa shpirt të monumenteve të rralla të kulturës tonë kombëtare”. Një diçka e tillë sigurisht që duhet.





Nessun commento:

Posta un commento